Votuesit në Mal të Zi përballen me dy alterantiva të ndryshme për zgjedhjet e së djelës: të vazhdojnë në rrugën pro-perëndimore dhe të anëtarësimit në NATO, apo të kthehen nga aleati i tyre tradicional, Rusia. Zgjedhjet e 16 tetorit në vendin e vogël ballkanik janë më të rëndësishmet që nga referendumi i vitit 2006 për pavarësi nga Serbia.

Rezultati i zgjedheve mund të dëmtojë procesin e integrimit të Evropës Juglindore në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe mund të jetë vendimtar për përpjekjet e Moskës për të rishtrirë ndikimin e saj në këtë rajon strategjik.

Në këto zgjedhje përballë njëra tjetrës janë Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet e udhëhequr nga kryeministri pro-perëndimor, Milo Gjukanoviç, dhe një grup i partive opozitare pro-ruse dhe pro-serbe të cilat janë kundër anëtarësimit të vendit në NATO.

“Ne do të vazhdojmë në rrugën e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Ballkanit në qarqet Evropiane dhe ato të civilizimit. Vendi ynë është aty,”

thotë kryeministri Gjukanoviç.

Ndërkohë, opozita malazeze është kundër përpjekjes së vendit për integrime euro-atlantike.

“Nga 16 tetori Mali i Zi do të bëhet përsëri një vend i lirë, dhe ne do ta festojmë atë ditë,”

thotë Nebojsha Medojeviç, kryetar i grupit opozitar Fronti i Bashkuar Demokratik.

Në korrik, NATO miratoi një deklaratë e cila mirëpriti Malin e Zi si një anëtar të ri të aleancës.

Ajo që mbetet është ratifikimi i marrëveshjes së anëtarësimit të Malit të Zi.

Zoti Gjukanoviç, i cili ka qeverisur Malin e Zi si kryeministër apo si president për më shumë se 25 vjet, shpreson të sigurojë shumicën në parlament që do t’i mundësonte atij ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësim në NATO, pa patur nevojë për organizimin e një referendumi popullor, rezultati i të cilit nuk do të ishte i sigurt.

Opozita ka kërkuar organizimin e një referendumi për çështjen e anëtarësimin në NATO.

Anketat e fundit tregojnë se partia e kryeministrit Milo Gjukanoviç, do të fitojë shumicën në parlamentin pewj 81 vendesh të Malit të Zi.

Por nëse partia e tij nuk fiton vende të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, analistët thonë se zoti Gjukanoviç do ta ketë të vështirë të formojë një koalicion qeverisës.

“Një skenar që mund të kemi është fromimi i një qeverie të gjerë pro-perëndimore, e cila do të përfshinte edhe disa parti opozitare me orientim pro-perëndimor, e cila do të mund të siguronte vota të mjaftueshme për të shmangur ndaljen e procesit të anëtarësimit në NATO. Në anën tjetër ekziston mundësia e krijimit të një qeverie me shumicë të thjeshtë, por ky skenar mund të krijojë probleme për procesin e anëtarësimit të vendit në NATO pasi Fronti Demokratik vazhdon thirrjet për ndërprerjen e këtij procesi,”

thotë analisti politik Zlatko Vujoviç.

Vendi i vogël ballkanik me 650.000 banorë, është thellësisht i ndarë në mes të atyre që mbështesin dhe atyre që e kundërshtojnë integrimin në B.E. dhe në NATO.

Rusia kundërshton fuqishëm zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore në vendet ish-komuniste të Evropës, të cilat i konsideron si pjesë të “interesave të saj strategjike”.

I shqetësuar nga ndikimi rus në rajonin ende të paqëndrueshëm, i cili në vitet 1990 ishte i përfshirë në luftërat civile të përgjakshme, Perëndimi kërkon që Malit të Zi bëhet anëtar i NATO-s.

Deri kohët e fundit, Mali i Zi ka qenë një aleat besnik i Rusisë. Por pas shkëputjes nga Serbia në një referendum të vitit 2006, Mali i Zi bëri një kthesë të fortë drejt integrimeve Euro-Atlantike.

Por, kompanitë ruse kanë investuar miliona dollarë në Mal të Zi, duke e bërë atë një destinacion të preferuar turistik për rusët. Rusët kanë blerë prona përgjatë detit Adriatik. Rreth 10,000 rusët kanë marrë shtetësinë malazeze.

Zyrtarët të partisë “Rusia e Bashkuar” që drejtohet nga presidenti Vladimir Putin, kanë mbështetur haptazi partitë opozitare duke thënë se përpjekjet e kryeministrit Gjukanoviç për anëtarësim në NATO janë “të papërgjegjshme dhe me pasoja të gjera”.

/VOA