Një shqiptar është vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga autoritetet italiane pas një ndjekje shpejtësie me makina.

Ngjarja ndodhi të premten, ku karabinierët i kërkuan shoferit të makinës që të ndalonte gjatë një postblloku. Mirëpo, shqiptari shkeli gazin dhe tentoi të arratisej.

Por kjo zgjati shumë pak pasi prej lagështirës, makina doli nga rruga dhe përfundoi duke u përplasur me një mur. Megjithatë edhe pas përplasjes shqiptarët tentuan të largoheshin me vrap.

Për pasojë, autoritetet arritën të vendosnin në pranga vetëm një 42-vjeçar, i cili banonte në Massa Carrara. Pas kontrollit të targave të automjetit rezultoi se ajo ishte vjedhur disa ditë më parë. Brenda mjetit u gjetën edhe sende të tjera me vlerë.

Gjykata caktoi arrest me burg për 42-vjeçarin dhe shpalli në kërkim tjetrin. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike. /tvklan.al