Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiç, konfirmuan se i kanë përafruar qëndrimet e tyre për temën e të zhvendosurve , të zhdukurve si dhe atë për bashkëpunim ekonomik. Ata konfirmuan se gjatë takimit të së hënës në Bruksel kanë hapur dy tema të reja: Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Takimi i radhës në dialogun në nivelin politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është caktuar të mbahet më 28 shtator.

Në Bruksel, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiç, zhvilluan takim të përbashkët nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se në Bruksel ka marrë pjesë vetëm për drafitimin e një marrëveshjeje finale, e cila sipas tij duhet të përfshijë njohjen reciproke.

“Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, si shtet që jemi të gatshëm të lëvizim përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

“Unë me kënaqësi them se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale mes të dy shteteve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohjen reciproke”, shtoi ai.

Ai konfirmoi se janë diskutuar dy tema të ndjeshme – obligimet financiare, që nënkupton dëmet e luftës, borxhin publik dhe se pala serbe e ka shtruar çështjen e Asociacionit. Hoti tha se për këto dy çështje do të diskutohet edhe në takimet e ardhshme në Bruksel.

“Kemi një marrëveshje të vitit 2015 që është arritur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është shtruar kjo marrëveshje në tavolinë për zbatimin e saj dhe ne tash do të diskutojmë si pjesë të marrëveshjes përfundimtare, duke mos e bërë asnjë veprim derisa nuk e përmbyllim marrëveshjen finale”, tha Hoti.

Kryeministri i Kosovës shtoi se ekziston një koordinim i plotë mes SHBA-së dhe BE-së për procesin e dialogut./REL