Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur sërish ditën e sotme në selinë blu. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli raporton se në fokus të kësaj mbledhje do të jenë negociatat që u arritën me Partinë Socialiste për komisionet hetimore.

Grupi i PD-së duhet të diskutojë edhe 2 përfaqësuesit që do të kenë në komisionet që u ra dakord ditën e djeshme me PS-në: 2 anëtarë PD-ka dhe 2 të tjerë PS-ja.

“Fokusi do të jenë komisionet hetimore, por edhe për të gjetur 2 emrat që do të jenë përfaqësuesit e grupit të PD-së. Ku duket se një nga emrat do të jetë Oerd Bylykbashi, pritet të ketë nëj emër tjetër, por me shumë gjasa ka që të jetë një deputet femër“, raporton gazetari.

Sot ishte parashikuar që të kishte edhe një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së, por kjo mbledhje është shtyrë për një moment tjetër. Arsyet e shtyrjes së kësaj mbledhje nuk janë bërë të ditura./tvklan.al