Ka përfunduar në një tragjedi fati i 44 anëtarëve të ekuipazhit të nëndetëses argjentinase, e zhdukur që nga mesi i nëntorit. Dhimbja, zemërimi dhe polemikat tronditën Argjentinën, pasi Ushtria njoftoi se nëndetësja San Juan, e zhdukur që nga 15 nëntori, kishte pësuar një “shpërthim”, nga i cili ka shumë pak mundësi që të ketë të mbijetuar.

Shpërthimi mendohet të këtë ndodhur në 3 mijë metra thellësi dhe për këtë arsye, jo vetëm autoritetet, edhe vetë familjarët duket se nuk kanë asnjë shpresë për të gjetur diçka nga të afërmit e tyre.

Me të qara të thekshme, fyerje, skena zemërimi u prit lajmi, i cili iu dha familjarëve vetëm disa minuta para konferencës për shtyp që u mbajt në Buenos Aires nga zëdhënësi i marinës, kapiteni Enrike Balbi.

Ndërkohë, organizata që merret me traktatin për ndalimin e plotë të testeve bërthamore, e cila ka stacione në mbarë botën, ka konfirmuar

“një ngjarje jo normale, të shkurtër, të dhunshme, jo bërthamore, që korrespondon me një shpërthim”

, e cila ka ndodhur më 15 nëntor, tre orë pas zhdukjes së nëndetëses. 

Më herët, edhe zëdhënësi kishte përmendur një

“anomali hidroakustike”

të zbuluar në zonën ku nëndetësja kishte dhënë sinjal për herë të fundit, në Patagoni. Zëdhënësi Balbi tha se marina e Argjentinës kishte

“kërkuar studime akustike nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare lidhur me fatin e nëndetëses dhe natyrën e zhurmës së regjistruar”.

“Ata janë perversë, na manipuluan, na gënjyen,”

thanë familjet e marinarëve të zhdukur, të cilët janë të bindur se Ushtria e dinte që nga dita e parë, që nëndetësja San Juan kishte shpërthyer. Anëtarët e ekuipazhit më herët kishin shprehur shqetësime rreth gjendjes së mjetit ushtarak lundrues, që ishte blerë në vitin 1985. /abcnews.al