Kreu i grupit të PD: Kemi rezervuar një vend te komisionet për një nga kolegët tanë që mendon ndryshe

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka prononcuar publikisht emrat e propozuar nga pala opozitare për anëtarët në dy komisionet hetimore. Për këto të fundit ka pasur një dakordësi PS-PD të Premten e shkuar në Konferencën e Kryetarëve.


Tashmë që do nisë puna e Komisionit mbi të Dhënat e Sistemit TIMS dhe e atij për Shërbimet në Shëndetësi, pritet që të normalizohet edhe situata në Kuvend. Dialog me mazhoritarët, po gjendja e brendshme e Partisë Demokratike?

Bardhi u ndal dhe te kolegët e tij, që janë në mbështetje të Lulzim Bashës. Ai theksoi se janë ata që kanë dështuar me reformën zgjedhore për dy vite rresht.

“Meqë i mbaron mandati nesër Komisionit të Reformës Zgjedhore, nuk i kemi penguar ne as ta bindin Ramën dhe as t’i imponohen, për ta realizuar. Deshën të flinin gjumë 22 muaj, tani bërtasin, po e dështojnë reformën ata që për dy vite nuk bënë asnjë punë në komision, nuk nxitën asnjë debat, nuk morën asnjë aksion në parlament, por qëndruan në karrige dhe titull. Ne e dinim që Rama nuk donte reformë zgjedhore, do një proces zgjedhor ku vjedh zgjedhjet, ku intimidon votuesit, përdor administratën për fushatë, ne e dimë kush është qëndrimi, ai është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ama ishte detyrë e opozitës të ndërmerrte një strategji. E dështuan me turp dhe duhet ta mbajnë koston e dështimit me turp. Në kohën e mbetur do të shtyjmë sa të mundemi përpara sa i takon reformës zgjedhore. Nuk mund të rri pa shprehur zhgënjimin e thellë për ata që u besuam dy vite më parë.”

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, dialogu me kundërshtarin politik nuk ka munguar asnjëherë për çështje në dobi të qytetarëve.

“Padyshim ndryshimi kushtetues, siç ka votuar dhe Basha, ne gjykojmë aty duhet të niste puna dhe duhet të ishim të gjithë bashkë në një front. S’mund të heqim dorë nga betejat tonë, aty duhet të niste diskutimi për reformën zgjedhore. Kjo nuk është parti kërpëratash, është parti që në zgjedhjet e ardhshme garon për të qenë alternativë qeverisëse. Do duhet të niste diskutimi aty ku isht ngërçi që solli atë rezultat të deformuar të vitit 2021.“

Ai theksoi po ashtu se me vendim grupi është rezervuar një karrige në këto komisione për një nga “mbështetësit e Bashës”.

Gazment Bardhi: U kam lënë një vend kolegëve që janë anëtarë të grupit parlamentar, për të dhënë një mendim ndryshe në Kuvend. I kam propozuar grupit dhe e ka miratuar që një vend ti rezervohet kolegëve që mendojnë ndryshe nga grupi, qoftë për zhvillimet e partisë si shprehje e qartë që ne kemi nevojë për çdo zë. Ne ballafaqojmë ide, por sigurisht në fund respektohet vullneti i shumicës se kështu funksionon çdo grupim e parti politike. Unë nuk e kam mohuar ndonjëherë se me një pjesë kam komunikim të vazhdueshëm, i respektoj 7 apo 8 kolegë, ne u kemi rezervuar një vend. Absolutisht i qëndroj këtij zotimi publik.

A do të jetë Alibeaj ai i cili e merr këtë përgjegjësi?

Gazment Bardhi: Së pari ne nuk kemi rënë dakord mbi emra, nuk e caktoj unë. Sigurisht është vendimmarrje e grupit, është pranuar propozimi i kryetarit të grupit që anëtari i tretë të jetë nga pjesa që janë pakicë. Do duhet që gjatë këtyre orëve t’a komunikojnë. Ne duhet të jemi një trupë e vetme.

E.D/tvklan.al