Nga Brukseli, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u bëri thirrje vendeve europiane të zhvendosin përfaqësitë e tyre diplomatike në Jeruzalem. Ai u takua me shefen e diplomacisë europiane Federika Mogerini, të cilës i kërkoi që edhe unioni të ndjekë shembullin e presidentit amerikan Donald Trump në njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Benjamin Netanjahu:

Kam besim se pjesa më e madhe e vendeve europiane do ti zhvendosin ambasadat e tyre në Jeruzalem, për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit. Kjo i shërben paqes, sigurisë dhe prosperitetit.

Por kryediplomatja europiane e bëri të qartë se zgjidhje të njëanshme nuk ka.

Federica Mogherini: 

Besojmë se e vetjma zgjidhje realiste për konfliktin Izrael-Palestinë është ajo me dy shtete dhe me Jeruzalemin si kryeqytet të të dyve.

Të njëjtin mesazh, kryeministri izraelit mori të dielën edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron, çka le të kuptohet se Bashkimi Europian nuk ka ndërmend të ndjekë vendimin e njëanshëm të presidentit amerikan Donald Trump, që e njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Netanjahu vizitoi Parisin dhe Brukselin për të bindur europianët të ndjekin shembullin e Uashingtonit, një vendim që ka ngjallur reagimin e ashpër të botës islame.

Tv Klan