Drogë nga SHBA-ja në vendin tonë, përmes postës! Është ky rasti më i fundit i zbuluar prej Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar, në pranga ka rënë 27 vjeçari Ilir Sefa ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Atlanta”. Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Për këtë rast u vu në pranga shtetasi I. S., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit F. L., 21 vjeç. Këta shtetas kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Në cilësi e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC”, thotë Policia e Tiranës./tvklan.al