Në Elbasan është ngritur Qendra Rajonale e Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para. Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila mori pjesë në ceremoninë e hapjes së qendrës bëri të ditur se ky “inkubator” i ri do të rivitalizojë sektorin minerar.

“Vendet e vogla, siç është Shqipëria, mund të jenë shumë të rëndësishme për kontributin e industrisë minerare dhe si rrjedhojë e lëndës së parë që mund të përdoret nga industria automotive sot dhe deri tek burimet e energjisë së rinovueshme. Kjo lëndë e parë kaq e rëndësishme mund të ndodhet edhe në një sipërfaqe të vogël, ashtu siç është Shqipëria, vetëm 28 mijë kilometra katrorë, por me pasuri të jashtëzakonshme që ju e dini shumë më mirë se unë”.

Zv/kryeministrja vuri në dukje se edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, si një partner strategjik i vendit tonë, është arritur të hapet kjo qendër, duke e cilësuar si një inkubator të ri të ideve.

“E gjitha kjo do të ndodhë falë Qendrës Rajonale të Inovacionit të Institutit Europian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, duke shënuar kështu një gur kilometrik në zhvillimin e industrisë minerare në vendin tonë. Kjo Qendër është e vetmja në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë falënderojmë të gjithë kolegët tanë të Bashkimit Europian që zgjodhën Shqipërinë”.

Kjo Qendër sipas Balluku, përveç nxitjes të kërkimit dhe zbulimit, patjetër do të kthehet në një inkubator për të rritur profesionistët e rinj.

Klan News