Ish-Guvernatorja e Karolinës së Jugut përballet me shanse të pakta për të kryesuar nominimin republikan

Kandidatja republikane Nikki Haley fitoi zgjedhjet paraprake në Uashington, DC, duke korrur fitoren e saj të parë para zgjedhjeve presidenciale.

Haley fitoi 62.9% të votave, kundrejt 33.2% nga ish-presidenti amerikan. “Nuk është për t’u habitur që republikanët po refuzojnë Donald Trump dhe gjithë kaosin e tij,” tha në një deklaratë zëdhënësja e fushatës së Haley, Olivia Perez-Cubas.

Haley ende përballet me shanse të pakta për të kryesuar nominimin republikan për t’u përballur me presidentin amerikan Joe Biden. Trump fitoi 8 garat e para të nominimit me diferencë të konsiderueshme përpara duke lënë pas Haley. Ish-presidenti pritet gjithashtu të fitojë pothuajse të gjitha garat në vazhdim, tregojnë sondazhet.

Haley do të marrë 19 delegatë nga fitorja e saj, një pjesë e vogël e 1215 delegatëve të nevojshëm për të arritur nominimin. Kjo nuk është hera e parë që republikanët në kryeqytet e refuzojnë Trumpin. Gjatë garës së fundit konkurruese për nominimin e republikanëve në Distriktin e Kolumbisë, në vitin 2016, Trump mori më pak se 14% të votave dhe asnjë delegat, edhe pse vazhdoi të korrte fitoren në nivel kombëtar.

Të martën, votuesit në 15 shtete do të marrin pjesë në ditën më të madhe të garave të nominimit në zgjedhjet presidenciale. Ndërkaq zgjedhjet paraprake demokrate në Uashington do të mbahen në qershor.

Klan News