sherri-kuvendKatër muaj pas incidentit në ambientet e Kuvendit, dy deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu kanë dale përpara trupit gjykues në Gjykatën e Lartë në cilësinë e të pandehurve.

Pas përfundimit të seancës, Ardian Visha, avokati i Deputetit Arben Ndoka e ka quajtur një rrahje të thjeshtë incidentin e ndodhur në Kuvend më 10 Korrik, ku Deputeti Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu goditën Deputetin demokrat Gent Strazimiri.

Në seancën e parë avokatët e të akuzuarve kërkuan pushimin e çështjes me arsyetimin se kallëzimi nuk është bërë nga i dëmtuari Strazimiri, por nga Grupi Parlamentar i PD.

Por trupa e gjyqtarëve e ka rrëzuar kërkesën.

Ata kërkuan pavlefshmërinë e videos që dëshmon goditjen e Deputetit Strazimiri nga dy të panderhurit, me argumentimin se ato janë shfaqur në një kohë që hetimi ende nuk kishte përfunduar.

Deputetit Ndreu i kërkoi gjykatës që përpara se të shqyrtojë këtë çështje, duhet që Prokuroria të hetojnë mbi rolin që ka patur Kryeministri Rama në këtë incident, pasi sipas kallzimit penal të bërë nga Partia Demokratike, organizatori ishte ai dhe jo deputetët.

Gjykata e Lartë do të marrë në pyetje si dëshmitarë në lidhje me ngjarjen disa punonjës të Gardës dhe 9 deputete, si Olta Xhaçka, Paradit Cara, Oerd Bylykbashi, Armando Prenga, Kozma Dashi, Paulin Sterkaj, Klodiana Spahiu, Genc Pollo e Gent Strazimiri.

Goditja e Deputetit Strazimiri nga deputetët socialistë, Arben Ndoka e Pjerin Ndreu u bë shkak që opozita të bojkotonte parlamentin.

Për këtë rast, ajo ka gjetur edhe mbështetjen e Partisë Popullore Europiane, grupimit më të madh politik në Bashkimin Europian, që me anë të një rezolute e dënoi dhunimin e deputetëve të opozitës dhe u shpreh se “janë brengosëse sulmet fizike dhe kërcënimet me jetë ndaj deputetëve të opozitës në parlament nga deputete të shumicës me precedentë kriminalë.”

Tv Klan