Mes kaosit dhe tensionit është mbyllur seanca e sotme plenare. Kjo seancë ishte parashikuar të zgjaste 4 orë, mirëpo tensioni i krijuar bëri që të mos kishte zhvillim normal të saj.

Me pankarta në duar, deputetët e opozitës përdorën zhurmues dhe u frynë bilbilave duke bërë që seanca të zgjaste më pak se 10 minuta.

Ndërkohë, deputeti demokrat Flamur Noka u përplas me Gardën e Republikës dhe po ashtu i ndërpreu fjalën deputetit socialist, Vullnet Sinaj, të cilit iu afrua me bilbil tek mikrofoni.

Në këto kushte, kryeparlamentarja Lindita Nikolla vendosi mosvazhdimin e seancës së sotme plenare.

Në rendin e ditës ishte parashikuar që të kishte diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.


Rendi i ditës i parashikuar të mbahej sot:

Në mbështetje të urdhrit nr. 12, datë 1.3.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 22.2.2024.

2. Njoftime.

3. Diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.

Diskutime – jo më shumë se 4 orë.


/tvklan.al