Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara në procesin e integrimit drejt BE-së duke tërhequr vëmendjen që procesi i Berlinit të krijojë nuanca të reja të bashkëpunimit të Brukselit me Ballkanin Perëndimor.

Këtë deklaratë kreu i shtetit shqiptar e bëri në samitin liderëve të procesit të Brdo – Brijunit ku merrnin pjesë presidentët e Ballkanit.

“Idetë dhe instrumentat e reja që po propozohen përmes Procesit të Berlinit mendoj se duhet t’i shërbejnë përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve tona, duke shmangur qoftë edhe çdo nuancë që do të sugjeronte një marrëdhënie tjetër alternative ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Jemi po aq të vetëdijshëm se vetëm orientimi euroatlantik dhe Evropian i vendeve të rajonit dhe vijimi me vendosmëri i rrugës së reformave të thella të brendshme, do të mund ta shkëpusë rajonin e Ballkanit nga e kaluara konfliktuale, për ta çliruar atë nga metafora e ‘fuçisë së barutit’.”

Nishani tha se Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje, për sa i takon, për të hapur negociatat e anëtarësimit sa më parë të jetë e mundur.

Nga ana tjetër ai siguroi homologët se vendi ynë dëshiron të bashkëjetojë e të njohë një rajon në paqe, që zhvillohet e integrohet brenda familjes europiane dhe euroatlantike por dhe brenda vetes.

Pjesëmarrësit miratuan me konsensus konkluzionet e samitit për nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe shmangur retorikat nacionaliste. Për herë të parë në këtë samit të përvitshëm merrnin pjesë si presidentë ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

/Tv Klan