Fundjava që lamë pas ka qenë sërish nën diktatin e futbollistëve shqiptarë me ekipet respektive. Ernest Muçi, Mirlind Daku dhe Ivan Balliu ishin protagonist duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e lojës. Një gol dhe dy asiste nga kuqezinjtë, të cilët i dhanë pikë të rëndësishme për objektivat skuadrave të tyre.

Muçi shënoi golin e tretë në kampionatin turk me fanellën e Beshiktashit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi golin e parë të ndeshjes në fitoren 2-0 ndaj Ankaraguxhu. Muçi goditi bukur nga jashtë zone dhe mposhti portierin kundërshtar.

23-vjeçari zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe në fund u shpall edhe lojtari i ndeshjes, me notën 8.4 nga sajti i specializuar për statistika sofascore. Edhe në Rusi, Mirlind Daku u shpall futbollisti i ndeshjes, duke dhënë kontribut me asist në barazimin 1-1 mes Rubin Kazan dhe Lokomotiv Moskë.

Në krahun tjetër, Mitaj ishte i pezulluar për arsye kartonash. Asist në përmbysjen 2-1 të Rayo Vallecano dha Ivan Balliu. Mbrojtësi shërbeu për shokun e skuadrës në fundin e takimit për të qenë edhe ndër më të vlerësuarit në fushën e lojës.

Fanellë titullari për futbollistë si Bare, Bajrami, Seferi, Muçolli e Muja, ndërsa nga stoli u aktivizuan Gjimshiti, Uzuni dhe Cikalleshi duke dhënë një paraqitje të mirë. Mungojnë minutat për Armando Brojën, tashmë totalisht jashtë planeve të Fulhem.

Futbollistët kuqezi janë në fokusin e stafit teknik të kombëtares shqiptare, pasi bëjnë pjesë në planet e saj për një ftesë në kampionatin Europian të kësaj vere që mbahet në Gjermani. Euro2024 është një ekskluzivitet i TV Klan, me ngjarjen më të madhe sportive të kontinentit që zgjat nga 14 qershori deri më 14 korrik.

Klan News