T’u prezantojmë turistëve historinë tonë është një nga pikat e dobëta dhe me delikate për Tiranën. Jo gjithmonë ata kanë rastin të njihen mirëfilltazi me traditat tona kulturore për arsye të ndryshme. Por në Galerinë Kombëtare të Arteve shumë shpejt do të jetë gati një pavion muze, i cili do të prezantojë punimet e artistëve shqiptarë që nga vitet 1800 e deri në vitet ‘44-‘45.

“Pavioni i rilindjes dhe pavarsisë” kështu do të quhet kjo përmbledhje e cila po realizohet me vetë kujdesin e drejtorit të Galerisë Abaz Hado. Prej disa ditësh kanë nisur punimet për sistemimin e pavionit. Aktualisht po punohet me ndriçimin dhe restaurimin e disa prej punimeve të cilave iu është dëmtuar grundi për shkak të kohës së gjatë dhe mungesës së kushteve të përshtatshme për ruajtjen e tyre gjatë viteve.

Abaz Hado: “Jemi në fazat përfundimtare të vendosjes së veprave, të seleksionit të tyre t’i vendosim nëpër mure dhe se si do të rrijnë dhe do të punojmë pastaj për të kaluar në një fazë tjetër ku do të punohet me ndriçimin e tyre, sepse siç e kemi thënë do të ketë një ndriçim special me pistoleta dhe ne po bëjmë vetëm vendosjen e veprave pastaj do të shikojmë të punojmë në këtë drejtim. Gjithashtu kemi mendimin që ne kemi përqëndruar punët e Kol Idromenos në një pjesë të veçantë ku do të ndajmë nga këto vepra “Motrën Tone” në të cilën ne do të përpiqemi jo vetëm që ta ruajmë me një sistem shumë sekret, por do t’i vendosim edhe xham për të mos u prekur nga ndonjë dëmtim i mundshëm.”

Pas përfundimit të këtij muzeu, një tjetër do të vijë në Galerinë e Arteve. Është arti gjatë realizmit socialist, i cili zë periudhën kohore nga vitet ‘45 deri në vitet ‘90. /tvklan.al