Autorët erdhën me makinë nga spitali i Traumës drejt lokalit në Don Bosko. Aty kthyen makinën dhe u pozicionuan përballë tavolinës ku ndodheshin vëllezërit Çela, daja i tyre dhe një tjetër person. Ata nuk e fikën makinën dhe nga sedilja e pasme një person hapi zjarr me breshëri automatiku në drejtim të tavolinës ku ishin ulur personat në fjalë.

Kjo është dinamika e ngjarjes që tronditi Tiranën këtë të martë, të paktën sipas të dhënave të deritanishme nga grupi hetimor, të përcjella nga gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.

Viktimë nga kjo ngjarje mbeti Erion Çela, 35 vjeç, me origjinë nga Dibra, ndërsa u plagosën vëllai i tij, Blerim Çela, 28 vjeç, Arben Dani 46 vjeç, Edmond Crroj 41 vjeç dhe kamarieri i lokalit Azbi Selimaj, 19 vjeç.

Gazetari thotë se sipas policisë, i vetmi person me precedentë të mëparshëm penalë rezulton daja i viktimës, Edmond Crroj. Ai mësohet se ka precedentë të mëparshëm penalë për drogë në Itali. Më parë, 41-vjeçari ka mbajtur emrin Adriatik Crroj.

Kur kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë, nuk ka asnjë të dhënë për autorët e saj, po ashtu edhe për motivet.

Ajo që dihet deri më tani, gjithnjë sipas burimeve policore, është se autorët lëviznin me një Mercedez Benz të vjedhur dhe me targa të vjedhura.

Pavarësisht se në të gjithë hyrje-daljet e Tiranës u ngritën pika kontrolli, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Autoritetet hetimore kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në lokal dhe në zonën përreth, ndërsa në pyetje janë marrë edhe dëshmitarët okularë.

Sa i përket 4 të plagosurve, ata ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve./tvklan.al