Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në Gramsh pasi Nadire Zani ka një problem me Hetimin Tatimor që i ka bllokuar pronën. Bëhet fjalë për një magazinë bujqësore, 3 km larg Gramshit që u privatizua në vitin ’95. Disa punonjës të saj e blenë magazinën dhe mallin dhe e lanë në ruajtje që kur të ndahen pjesët takuese, të marrë secili të vetin. Nadirja tregon se asaj i qëlloi mall stok që nuk shitet e nuk është më në qarkullim.

Por një ditë shfaqet Hetimi Tatimor dhe i vë shirita duke thënë se duhet të pajiset me NIPT. Nadirja thotë se nuk e ka subjekt tregtar e as shet ndonjë gjë dhe mallin stok e vërteton me një dokument nga bashkia dhe me një akt kostatimi nga higjena. Ajo shkonte vetëm për të bërë ajrosjen e magazinës. Në drejtorinë e Hetimit Tatimor, inspektori thotë që zonja të shkojë në gjyq nëse nuk i pëlqen bllokimi.

Inspektori: Subjektin e kanë bllokuar, pasi e kanë gjetur në aktivitet.

Qytetarja: Çfarë kanë qenë duke bërë? Kot po ju pyes personalisht…

Inspektori: E gjetën subjektin të hapur!

Qytetarja: Çfarë po bënin pra? A e kanë gjetur të hapur?

Inspektori: Ka ushtruar aktivitet subjekti, ka qenë i hapur!

Qytetarja: Ka qenë i hapur edhe….

Inspektori: Ka qenë duke…

Qytetarja: Duke shitur? Ka qenë duke shitur?

Inspektori: Ka qenë për të shitur, për të shitur, për të shitur, se s’kam qenë unë.

Qytetarja: Mor zotëri! Atëherë ato nuk shiten mo, se janë plehra.

Inspektori: Si?

Qytetarja: Janë plehëruese, që nuk funksionojnë! Nuk shiten! Është kapur një rast flagrant!

Inspektori: Si?

Qytetarja: Po, është kapur duke shitur.

Inspektori: Është kapur subjekti i hapur.

Qytetarja: Si mund të më penalizoni ju mua? Si mund të më ndaloni, që unë të futem tek prona ime?

Inspektori: Futu, po mos të kesh subjektin duke shitur!

Qytetarja: Po pra, po të më kishe kapur duke shitur, pse s’ma vunë gjobën?

Inspektori: Ça gjobe?

Qytetarja: Gjobën o vlla!

Inspektori: Është ligji 99-20, në momentin, që të kanë gjetur në aktivitet, bllokohet subjekti.

Qytetarja: Ore, s’e kanë kapur duke shitur, se s’ka ça të shesë! Si mund të shesë, kur ISHP-ja ka…

Inspektori: Nuk më intereson fare kjo!

Qytetarja: Ah, nuk ju interesojnë këto gjërat?

Inspektori: Kemi ligjin tonë! Për ato të ISHP-së, vazhdo me ISHP-në ato të Bashkisë atje! Inspektorët tanë janë konform ligjit! Kanë bërë një akt-konstatimi, ku zonja ka firmosur aktin e konstatimit, që e kanë gjetur duke ushtruar aktivitet dhe e kanë mbyllur sipas ligjit. Tani, që të hapet subjekti, zonja duhet, që të pajiset me NIPT, me TVSH të NIPT-it.

Qytetarja: Nuk mundet të pajiset! Nuk mundet, për atë godinë!

Inspektori: S’ka rëndësi fare! Të pajiset me NIPT!

Qytetarja: Nuk ka si të pajiset, more zotëri! Nuk ka si të pajiset, se nuk ka çfarë shet!

Inspektori: Ok! Meqenëse nuk pajiset me NIPT. Nuk hapet aktiviteti. Në qoftë se prish shiritat, do vejë për ndjekje penale!

Qytetarja: O zotëri, do e hap do e bëj garazh, për të vënë makinën, o zotëri.

Inspektori: Do ta çojmë për ndjekje penale, kështu e kemi ligjin ne.

Qytetarja: O zotëri, shiriti është vënë kot sepse po thua duke shitur, por çfarë ka shitur? Mund të më thoni ju, çfarë ka shitur?

Inspektori: E kanë shkruajtur me emër, me mbiemër nëqoftëse nuk je dakord, atëherë hidhini në gjyq!

Nga ana tjetër drejtori i Tatim-taksave në bashkinë Gramsh, thotë se në asnjë moment aty nuk ka qenë subjekt tregtar, por nuk di të thotë se pse Hetimi Tatimor ka dalë me këtë vendim./tvklan.al