Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se fëmijët po vdesin nga uria në Gazën veriore.

Tedros raportoi nivele të rënda të kequshqyerjes, fëmijë që vdesin nga uria, mungesa serioze të karburantit, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore, ndërtesa spitalore të shkatërruara në Gazën veriore, ku rreth 300,000 njerëz jetojnë me pak ushqim.

“Situata në spitalin Al-Awda është shumë e tmerrshme, pasi një nga ndërtesat është shkatërruar”, tha ai përmes një postimi në rrjetin social “X”.

OKB-ja paralajmëroi javën e kaluar se uria në Gaza ishte pothuajse e pashmangshme. Një zyrtar i lartë i ndihmës së OKB-së tha se të paktën 576,000 njerëz në të gjithë Rripin e Gazës, 1/4 e popullsisë – përballeshin me nivele katastrofike të pasigurisë ushqimore dhe 1 në 6 fëmijë nën moshën 2 vjeç në veri vuanin nga kequshqyerja akute.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza raportoi të dielën se të paktën 15 fëmijë kishin vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi në spitalin Kamal Adwan./tvklan.al