Basha-Kukan

Ndërmjetësimi i Parlamentit Europian mes mazhorancës dhe opozitës për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund ngërçit politik nuk ka dhënë rezultate konkrete. Grupi parlamentar demokrat nuk ka marrë një vendim për fatin e bojkotit parlamentar.

Pas takimeve me eurodeputetin Eduard Kukan, i cili këtë të hënë zhvilloi takime me Bashën, Ramën e Metën opozita ka zhvilluar mbledhjen e grupit kuvendor dhe pas afro 2 orësh kanë deklaruar se nuk mund të kthehen në kuvend pa një marrëveshje të shkruar.

Ish – kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati Basha thanë se janë afër gjetjes së një zgjidhje ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrin forumet e partisë.

Sali Berisha- Ish Kryeministër i Shqipërisë:Eshtë bërë një punë që na informoi kryetari në mbledhje, shumë e rëndësishme. Në dukje palët janë afër. Unë e konsideroj bojkotin një lloj fatkeqësie të imponuar. Unë e pranoj çdo vendim që do të marrë Këshilli Kombëtar i PD. A do t’u fusë shqelmin siç e ka shpirtin, unë them se po megjithatë të shohim”.

Lulzim Basha- Kryetar i PD: “Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses dhe i bëj thirrje mazhorancës të jetë pjesë konstruktive e përmbylljes me sukses të këtij procesi, se shpreh një shqetësim të jashtëzakoshëm të qytetarëve shqiptar dhe ka mobilizuar si asnjëherë tjetër të majtën dhe të djathtën europiane”.

Kryeministri Rama, takimet me raportuesin për Shqipërinë Fleckenstein ashtu dhe atë me Kukan nuk ka preferuar t’i bëjë publike dhe as të shpreh rezultatet nga këto takime. Por nga ana tjetër burime nga kryeministri Rama thonë se nuk do të ketë një marrëveshje të shkruar gjë që la të kuptohet dhe nga kryeparlamentari Meta i cili gjatë një prononcimi për mediat pas takimit me Kukanin tha se kërkesat e opozitës i janë plotësuar nga mazhoranca.

Eurodeputeti pas takimit të parë në selinë e partisë demokratike me kryedemokratin nënvizoi rëndësinë që ka dialogu politik për integrimin europian.

Pas takimit me Ramën e Metën eurodeputeti u rikthye edhe njëherë në shtëpinë e demokratëve por kësaj here nuk pranoi të bëj asnjë koment.

Kukan është larguar sërish në Bruksel pas mesdite dhe nuk dihet sesi do të vijojnë negociatat e ndërmjetësuara nga eurodeputetët Kukan e Fleckenstein i cili ishte në Tiranë javën e kaluar.

Burime nga demokratët thonë se përfaqësuesit e opozitës do të vijojnë të mblidhen në ditën në vijim për të marrë një vendim, ndërsa ditën e mërkurë në datën 24 është dhe seanca e fundit plenare që do të ishte dhe një shans për rikthimin e opozitës në Kuvend.

Tv Klan