Opozita u mblodh pasditen e sotme për afron 3 orë para Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër kryebashkiakut Erion Veliaj.

Për shkak të protestës së opozitës, mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua online. Teksa opozita kërkon dorëheqjen e Erion Veliaj pas arrestimit të disa ish-zyrtarëve të bashkisë.

Protestuesit hodhën bomba molotov dhe tymuese përpara godinës së Bashkisë Tiranë. Forca të shumta policie u vendosën në gardh përpara institucionit.

Pas rreth 2 orësh tubim, protestuesit heqën një pjesë të barrierës mbrojtëse që i ndan ata nga uniformat blu, mirëpo nuk mundën që të çajnë kordonin policor.

Pas tensioneve të krijuara nga protestuesit, policia hodhi gaz lotsjellës dhe spraj me spec djegës për të shpërndarë protestuesit. Kjo ka sjellë reagimin e këtyre të fundit, të cilët janë përgjigjur me gurë dhe zhavor në drejtim të uniformave blu.

Në vijën e parë të protestës u vendos kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili kontribuoi në qetësimin e situatës mes protestuesve dhe forcave policore.

Gazment Bardhi: Thjeshtë u kërkova të tërhiqnin forcat e rendit nga përplasja me qytetarët.

Kjo ishte protesta e 5 e opozitës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit që zhvillohet para bashkisë. Edhe në protestat e mëparshme, protestuesit kanë hedhur molotov përpara bashkisë. /tvklan.al