Qytetarët në Hiroshima patën reagime të ndryshme ndaj filmit fitues të çmimit Oscar “Oppenheimer”, i cili u shfaq në kinematë japoneze më 29 mars. Filmi, një dramë historike prej tre orësh, i cili flet për krijimin e bombës së parë bërthamore, mori 7 çmime Oscar, ndër to edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë.

Kishte një pikëpyetje nga kinematë japoneze nëse “Oppenheimer” duhej të shfaqej në Japoni, duke pasur parasysh ndjeshmërinë ndaj kësaj teme. Por në dhjetor të vitit të kaluar, kompania “Bitters End”, njoftoi se  projekti kinematografuk do të ishte në kinematë japoneze në vitin 2024 dhe caktoi datën 29 mars si datën e publikimit. Por si është pritur filmi nga qytetarët?

65-vjeçarja Agemi Kanagae nxitoi për ta parë filmin në kinemanë që ndodhet rreth një kilometër pranë memorialit ku shpërtheu bomba e parë bërthamore në Hiroshima.

“Filmi ja vleu vërtet dhe arrita të përqendrohem deri në fund. Por nuk u ndjeva mirë me disa skena, si gjyqi ndaj Oppenheimerit në Shtetet e Bashkuara, në fund”.

Një tjetër banor i Hiroshimës thotë se i pëlqejnë filmat e regjizorit Christopher Nolan, por nuk është i sigurt nëse ky film do të pritet mirë nga publiku.

“Filmi e paraqet gjithashtu bombën atomike në një mënyrë që duket sikur e lëvdon. Duke qenë se i kam rrënjët nga Hiroshima, e pata të vështira ta shikoja. Nuk jam i sigurt nëse ky është një film që japonezët duhet ta shohin”.

Filmi sidoqoftë nuk paraqet drejtpërdrejt skenat që u zhvilluan në terren kur bombat u hodhën në Hiroshima dhe në Nagasaki. Filmi përqendrohet tek shkencëtari Oppenheimer dhe se si ai mundi të krijonte bombën e parë bërthamore.

“Filmi rrëfen historinë nga perspektiva amerikane, nga pala që e shpiku armën bërthamore. Hiroshima dhe Nagasaki, mbi të cilat u hodhën bombat atomike, janë sigurisht viktimat. Por mendoj se megjithëse shpikësi është një ndër autorët, ai është edhe vetë viktimë e kësaj lufte.”

Disa studiues, thonë se prodhimi i një filmi të tillë me sukses të madh në Hollivud, do të ishte i paimagjinueshëm dekada më parë, kur justifikimi për armët bërthamore dominonte në ndërgjegjen e amerikanëve.

Nga ana tjetër, ka edhe zëra që kërkojnë një projekt kinematografik  japonez ndaj filmit “Oppenheimer”. Regjizori japonez i filmit “Godzilla”, Takashi Yamazaki, i tha gjatë një bisede regjizorit amerikan Christopher Nolan të filmit “Oppenheimmer” se do të dëshironte ta realizonte një film të kësaj natyre në formë përgjigjeje.

Ish-kryetari i bashkisë së Hiroshimës, Takashi Hiraoka ishte gjithashtu kritik ndaj filmit për mungesën e një perspektive nga pala japoneze. “Filmi është bërë në një mënyrë për të vërtetuar përfundimin se bomba atomike është përdorur për të shpëtuar jetën e amerikanëve”-thotë ai.

Në përgjithësi, një pjesë e audiencës japoneze ka shprehur pakënaqësi për skenarin e “Oppenheimer” dhe mendojnë se ai është i paplotë. Ka pasur gjithashtu debate nëse Oppenheimer mund të kishte treguar më shumë nga traumat  e banorëve të prekur nga bombardimet, ose nëse kjo qasje do të kishte qenë e dëmshme dhe do të bënte që vëmendja të kthehej nga të prekurit.

Refuzimi i Nolan për të treguar efektet e bombës mbi popullin japonez, nuk mërziti vetëm japonezët, por edhe disa amerikane përfshirë regjsiorin Spike Lee, i cili ka deklaruar se Nolan duhet të kishte treguar efektet shkatërruese të bombës bërthamore në Japoni.

Dyshimet nëse “Oppenheimer” do të mund të arrinte deri në kinematë në Japoni, u shfaqën që kur pati premierën vitin e kaluar. U deshën mbi 8 muaj që filmi të mbërrinte në Japoni pas premierës në Shtetet e Bashkuara për shkak të ndjeshmërisë që kishte kjo çështje.

Japonia është i vetmi vend që është goditur me armë bërthamore. Nga dy bombat u vranë 200 mijë njerëz në vitin 1945, ndërsa vazhdonte Lufta e Dytë Botërore.

Klan News