Mbi 300 aktmarrëveshje janë lidhur brenda 3 ditësh nga njoftimi i OSHEE për lehtësirat që do t’u ofrohen abonentëve të saj për faturat e papaguara.

Administratori i këtij institucioni, Enea Karakaçi, thotë se kjo iniciativë pritet t’u vijë në ndihmë kryesisht familjeve në nevojë, teksa lehtëson barrën edhe për bizneset apo institucionet buxhetore ose jo.

“Për kategorinë e abonentëve familjarë, ne i ndajmë në 2 kategori; ato që janë kategori në nevojë dhe që kanë një pagesë 1200 Lekë kësti në muaj, pra e ndajmë këstin në vlerë. Dhe për abonentët familjarë të zakonshëm është në vlerën 2800 Lekë. Ndërsa për kategorinë e abonentëve që janë privatë edhe buxhetorë, ne i ndajmë në numër këstesh sipas viteve”.

Të gjithë ata që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike qoftë biznese, familjarë apo institucione do të kenë në dispozicion skema të reja lehtësuese për të paguar, të cilat përshkallëzohen në varësi të kategorisë së klientit.

OSHEE ka ofruar si mundësi për familjet ulje me 70 përqind të vlerës së kamatës nëse paguhet e gjithë vlera e detyrimit.

“Në qoftë se një abonent familjar e paguan me një këst gjithë detyrimin e tij të prapambetur, i falet 70% e kamatës. Ndërsa, nëse një biznes i vogël vendos që të paguajë gjithë detyrimin e prapambetur me një këst të vetëm, i falet 100% kamata”.

Gjithashtu OSHEE ka vendosur si kusht faktin që këta klientë duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë.

Tv Klan