Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut nga radhët e Frontit Europian, Bujar Osmani, në një konferencë për media njoftoi fitoren e thellë në këto zgjedhje presidenciale. Ai tha se do ta çojë përpara vullnetin e qytetarëve për një Maqedoni europiane dhe u zotua për një fitore akoma më të madhe në zgjedhjet e 8 majit.

“Urime për këtë fitore të madhe, ju faleminderit nga thellësia e zemrës që më besuat mua dhe Frontit Europian. Kjo fitore shkon për të gjithë ata që votuat, dua t’i falenderoj të gjithë liderët e partive politike të Frontit Europian për mbështetjen e madhe dhe besimin që më kanë dhënë të jem kandidat i tyre. Në emër të frontit po ju them se vota juaj është amaneti imë, për ta çuar vendin drejt një të ardhmeje të ndritur. Vullneti është i qartë dhe duhet të respektohet nga të gjithë”.

Për kundërshtarin Arben Taravari, nga radhët e VLEN, kishte edhe një këshillë.

Dëshiroj t’i them diçka dhe kundërshtarit tim Taravarit. Arben, pavarësisht goditjeve të ulëta, patëm një fushatë të ndershme, duhet ta pranosh humbjen dhe vullnetin e qytetarëve për një të ardhme evropiane. Zotimi im është që këto zgjedhje të jenë të fundit që mbahen në këtë mënyrë dhe mandatin tjetër i presidentit të zgjidhet në Kuvend. Vendimi i opozitës për t’u bërë instrument përçarës nuk pati ndikim, unë sërish i ftoj të gjithë për të votuar Frontin që është e ardhmja për harmoni dhe bashkëjetesë. Dua të falenderoj edhe qytetarët e diasporës të cilët dje ndanë fitoren e parë që e gëzojmë edhe sot”, tha Osmani./tvklan.al