ervini

Osteoartriti njihet si një problem i cili haset pas moshës së mesme. Faktorët që ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj sëmundje janë të shumtë, por studiuesit rol të veçantë i japin gjenetikës, duke theksuar se disa njerëz janë më të prirur për zhvillimin e osteoartitit të këllkut. Mjeku Ortoped, Ervin Jonuzi në një intervistë për tvklan.al ka përshkruar fazat e kësaj sëmundje, simptomat që ajo shfaq, masat që merren për diagnostikimin e saj, si dhe metodat e reja të trajtimit. Dr. Jonuzi më tej ka përmendur se shkenca dhe praktika kanë treguar se osteoartriti është një gjendje fatkeqësisht e pasherueshme dhe çdo metodë trajtimi ka efekt përkohësor.

Çfarë është osteoartriti?

OsteoArtriti (OA) i këllkut (nyjes koksofemorale) është një ndër patologjitë më të shpeshta që ortopedët hasin në praktikën e tyre. Artroplastika ose ndërrimi total i nyjes koksofemorale është “zgjidhja përfundimtare” e osteoartrit të avancuar. Përpjeket e para që janë bërë për ndërrimin total të këllkut i kanë rrënjet e veta rreth viteve 1890. Në ditët e sotme artroplastika ka arritur shkallën e një ndër kirurgjive më efektive.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundje?

Nuk do ndalem gjatë tek faktorët që ndikojnë në zhvillimin e osteoartritit. Ata janë të shumtë ndaj do të përmend vetëm disa. Trauma e pësuar është një ndër faktorët më të shpeshtë, si pasojë e së cilës dëmtohet kërçi i kokës së femurit, kërrci i nyjes acetabulare, ligamentit të kokës së femurit, buzës acetabulare dhe shumë e shumë komponentëve të tjerë. Si pasojë e dëmtimit të elementëve të lartpërmendur, me kalimin e kohës nyja humbet fortësinë e saj. Ndërsa dendësia e kockës bie, gjë që çon në ndryshimin e biomekanikës së këllkut dhe muskujve. Infeksioni është një faktor tjetër që mund të dëmtojë gjendjen e kërçit (kondros). Hemorragjitë brenda nyjes janë të shpeshta pas infeksioneve bakteriale dhe virusale. Shumë studiues rol të veçantë i japin gjenetikës, duke i bërë disa njerëz më të prirur për zhvillimin e osteoartritit të këllkut.

Çfarë medikamentesh përdoren, pra si mund ta trajtojmë osteoartritin?

Trajtimi konservativ është një ndër rrugëzgjidhjet për trajtimin e osteoartrit. Disa nga medikamentet që përdoren janë grupet analgetike të cilat bëjnë të mundur uljen e dhimbjeve. Nëse do përdoren medikamentet e grupit “Anti-Iflamator Jo Steroidal”, bëhet ulje e dhimbjeve, si dhe ulja e inflamacionit në nyje. Një ndër grupet e ilaçeve që përdoren me shumë efektivitet janë, « COX-2 – bllukuesit » e izoluar. Rol të veçantë i jepet trajtimit terapik i cili bën të ndjeshëm rritjen e cilësisë së jetës së pacientëve. Shkenca dhe praktika ka treguar se osteoartriti është një gjendje fatkeqësisht e pasherueshme. Çdo metodë trajtimi ka efekt përkohësor.

Si mund ta përshkruajmë fazën e parë të kësaj sëmundje?

Në fazat e para të osteoartritit vihen re dhimbjet në zonën kurrizore, pjesën mbrapa zonës së legenit dhe «të ndenjurave», duke kaluar ndonjëherë edhe përgjatë gjymtyrëve të poshtëm. Shpeshherë në fazat më të përparura vihen re dhimbjet në zonën inguinale. Ndërsa patologjia përparon, nyja bëhet me kalimin e kohës e ngurtë, lëvizjet minimale në të janë të dhimbshme, gjymtyri sa vjen e shkurtohet dhe ndjeshëm vihet re çalimi gjatë ecjes.

Cilat janë masat që merren për diagnostikimin e osteoartritit?

Llojet e protezave që përdoren në ditët e sotme, talenti i kirurgeve, mënyrat mini-invazive të implatimit dhe sigurisht rezultatet, si rritja e cilësisë së jetës së pacientëve e kanë bërë artroplastikën një ndër operacionet më të arritura deri më tani. Për të patur një ndërhyrje kirurgjikale të arritur dhe për ta bërë atë sa më efektive për pacientin çdo kirurg bën planifikimin e operacionit dhe hapat që do merren. Gjëja e parë e nevojshme është grafia e legenit në mënyrë që të duken qartë të dyja nyjet koksofemorale. Përveç grafisë së legenit është e nevojshme dhe grafia e nyjes. Etapa e dytë është anamneza e detajuar e pacientit. Grafia dhe ananmneza i japin kirurgut një ide të qartë të llojit të protezës që do implantohet.

Në sa komponentë ndahet proteza?

Proteza ndahet në 3 komponentë. Komponenti i parë është ai femoral që quhet ndryshe edhe këmba e protezës. Komponenti i dytë është komponenti acetabular i cili implantohet në acetabulin e legenit. Komponenti i tretë është koka së bashku me aksesuaret e saj e cila bën lidhjen e komponentit acetabular me atë femoral. Në ortopedinë moderne implantohen me qindra lloje të ndryshme protezash.

protezash.ppprprotezaskëllku.

Cilat janë llojet e protezave të këllkut që i vijnë në ndihmë pacientit?

Ato ndahen në dy grupe të mëdha. Grupi i parë janë protezat ku komponenti femoral dhe ai acetabular fiksohen me çimento. Grupi i dytë janë protezat, komponentët e të cilave fiksohen pa çimento në mënyre «press-fit». Forcat e fërkimit që kryhen midis kokës së protezës dhe folesë acetabulare bëjnë klasfikimin e dytë të protezave i cili quhet klasifikimi në bazë të forcave të fërkimit. Llojet e forcave të fërkimit të protezave që ne kemi në ditët e sotme janë: metal – polietilen (plastike), metal – metal, qeramikë -qeramikë, qeramike – polietilen, qeramikë – metal. Një klasifikim tjetër që i bëhet këmbëve të protezave është në bazë të formave dhe vendit që ato zënë në kanalin femoral. Këmba e protezës implantohet brenda kanalit të kockës femorale. Në bazë të vendit ku këmba do zërë vend në kanal dhe do mbajë peshën ato ndahen në këmbë me fiksim proksimal, këmbë me fiksim të ndërmjetëm dhe këmbë me fiksim distal.

Cilat janë llojet e forcave të fërkimit të implanteve?

Metal – Polietilen, përdoret shumë shpesh, është goxha i fortë, por konsumohet shpejt. Ka filluar të përdoret nga vitet 1960.

Metal – Metal, konsumohet shumë pak. Diapazon i madh lëvizjesh; jonet e metaleve nga nyja kalojnë në gjak dhe krijojnë komplikacione të ndryshme.

Keramikë – keramikë, është goxha rezistente, por ka prirje për t’u thyer, kostoja e saj është e lart dhe nuk konsumohet.

Keramike – plastike, ashtu si keramikë – keramikë nuk konsumohet shpejt, ka prirje për t’u thyer, kostoja është e lartë.

Keramika – metal, është në hapat e para për t’u aprovuar dhe për t’u lejuar të implantohet në organizmin e njeriut.

Implantet e këllkut dhe kombinacionet e përbërjes së materialeve.

“Foleja” me përbërje metalike, keramike ose polietilen

“Koka e protezes” metalike ose keramike

Konsumimi bëhet si rezultat i lëvizshmërisë së kokës rreth folesë së protezës. Kur foleja dhe koka e protezës janë metalike, gjatë konsumimit jonet e metalit kalojnë në gjak.

Intervistoi: Vilma Kërçiku