INSTAT: Në nivel kombëtar pagat u rritën me 13.7%, paga mesatare në shtet mbi 87 mijë Lekë, në privat 69 mijë Lekë

Paga mesatare mujore në nivel kombëtarë në fund të vitit 2023 ka pësuar rritje dy shifrore. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2023, është 75 mijë Lekë, duke u rritur me 13,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar që ishte 66 mijë Lekë.

Gjatë tremujorit të katërt 2023 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 16,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti, Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 4,5 %.

Të dhënat e publikimit të INSTAT tregojnë se pagat në shtet u rritën më ritëm më të lartë se në sektorin privat.

Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror në tremujorin e katërt të 2022 ishte mbi 74 mijë Lekë ndërsa në fund të 2023, arriti 87.864 Lekë, duke pësuar rritje me rreth 18%.

Ndërsa paga mesatare mujore për një të punësuar në sektorin privat nga 62 mijë Lekë arriti në 69.400 Lekë, pra u rrit me një nivel mbi 11%

Sipas të dhënave nga Statistikat e Pagave, gjatë tremujorit të katërt 2023, grup-profesionet që kanë pagën mesatre mujore më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtarë janë grupi i“Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” të cilët kanë një pagesë mesatare mujore 125 mijë Lekë, dhe “Specialistë me arsim të lartë” me një pagë mesatare 95 mijë Lekë.

Klan News