Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, nga panairi i teknologjisë që po mbahet në Hanover të Gjermanisë, tha se Zona e Lirë Ekonomike në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja.

“Ka një interes të jashtëzakonshëm për zonën e lirë ekonomike, për të cilën Tirana ka licencën dhe ka filluar punën. Mezi presim që 5-7 mijë vende të reja pune, që do të hapen, të jenë të lidhura edhe me Gjermaninë dhe pagat e mirëpaguara të kompanive gjermane. Kemi filluar një fushatë agresive marketingu në të gjitha panairet e mundshme, për të thënë që në Tiranë ka diell, ka dëshirë për punë dhe hapësira e lehtësira të nevojshme nga qeveria dhe nga bashkia, si për taksa, si edhe për të bërë biznes”.

Pas panairit të teknologjisë, synimi i Bashkisë së Tiranës është ai i turizmit që do të mbahet në Berlin.

“Mezi pres që në këto 3 ditë që do të jemi në panair, të vazhdojmë bashkëpunimin me panairin e Berlinit për turizmin, duke qenë se Tirana, përveç bregdetit, është kthyer gjithashtu në një destinacion për turizmin. Ta kthejmë këtë raport special të Shqipërisë me Gjermaninë, nga një raport inferior, ku kryesisht në vitet ’90-të kemi qenë duke kërkuar ndihma dhe asistencë për mbijetesë, sot kemi një partneritet ku punojmë, shkëmbejmë dhe ku sigurisht, fitojnë të dyja palët, edhe pala gjermane, edhe stafi ynë super i kualifikuar, që sot ka rroga shumë më të mira”.

Veliaj ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë në Gjermani të vizitojnë instalacionin e Bashkisë së Tiranës në Panairin e Teknologjisë.

Tv Klan