Në mesazhin tradicional për Popujt dhe Botën “Urbi et Orbi” në ditën e Pashkës, Papa Francesku dënoi të gjithë ata që nuk ndihmojnë emigrantët. Ai tha se emigrantët  përballen me kundërshtimin nga ata që mund t’i ofrojnë mirëpritje dhe ndihmë.

 “Mesazhi i Pashkës i Ringjalljes së Krishtit na fton të mos harrojmë ato burra dhe gra që kërkojnë një të ardhme më të mirë, një numër gjithnjë më i madh emigrantësh dhe refugjatësh që i largohen luftës, urisë, varfërisë dhe padrejtësisë sociale”.

Ati i Shenjtë dënoi terrorizmin duke e quajtur të verbër dhe të pamëshirshëm që mund të luftohet me armën e dashurisë. Shumë peleginë anulluan udhëtimin e  tyre në Romë, pas sulmeve të Brukselit, por pavarësisht kësaj Bazilika e Shen Pjetrit, ku u mbajt Mesha e së Shtunes, ishte e tejmbushur.  Mes 12 personave që u pagëzuan mbrëmjen e së shtunës ishin edhe gjashtë shqiptarë. Ata ishin Bernarda dhe Dasara Dervishi, Flora Gjikolaj dhe Gjovalin Gjikolas, Herjola Rrapaj dhe Ylli Taci.

Në Jeruzalem, besimtarë të shumtë morën pjesë në meshën e drejtuar nga Patriarku Fuad Tual në Kishën e Varrit të Shenjtë, ku besohet se është varrosur Jezu Krishti.

Në Bruksel, besimtarët katolike, në ditën e Pashkës, kujtuan 31 viktimat që humbën jetën në Belgjikë, të martën gjatë sulmeve terroriste.

Tv Klan