Parlamenti i Maqedonisë i votoi të enjten pasdite zëvendës-ministrat e qeverisë së kabinetit të kryeministrit Zoran Zaev. 62 deputetët e shumicës parlamentare votuan për, pesë ligjvënësit e Lëvizjes “Besa” abstenuan, ndërsa deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk votuan fare. Ata dolën nga salla plenare e parlamentit para se të bëhej votimi.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE e quanqeverinë e vendit “një krijesë artificiale”. Gjatë debatit, ligjvënësit opozitarë kritikuan përzgjedhjen e zëvendës-ministrave nga zoti Zaev. Më veçanti, ata kritikuan zgjedhjen e zonjës Arta Toçi në postin e zëvendës ministres së Jashtme, duke e vënë në pikëpyetje besnikërinë e saj për shkak të një punimi të saj shkencor ku, sipas VMRO-DPMNE-së, ajo shkruante mes tjerash se “territoret e Maqedonisë perëndimore i ishin dhënë padrejtësisht këtij shteti, të cilit i referohet me termin FYROM”.

Ndërkaq, kryeministri Zaev, duke paraqitur para deputetëve emrat e kandidatëve për zëvendës ministra, tha se bëhej fjalë për personalitete të shquara, profesionistë dhe politkanë të cilët “do të punojnë sipas ligjeve dhe Kushtetutës, dhe me dashuri e me motivim të madh do ta kryejnë detyrën në mënyrë shumë transparente”.

Nga 15 zëvendës ministrat, katër janë nga radhët e BDI-së: Agim Nuhiu, zëvendës minisër i Punëve të Brendshme, Bekim Maksuti, zëvendës ministër i Mbrojtjes, Shirete Elezi zëvendës ministre e Financave, dhe Visar Ganiu, zëvendës minisër i Arsimit dhe Shkencës. Aleanca për Shqiptarët ka tre zëvendës ministra: Arta Toçi zëvendës ministre e Punëve të Jashtme, Elmi Aziri zëvendës ministër i Punës dhe Politikave Sociale dhe Remzi Memeti, zëvendës ministër i Transportit./VOA