partizani-tirona-derbi

Partizani është fitues i derbit të kryeqytetit, duke lënë edhe një herë Tiranën pa sukses, në këtë përballje të rivalëve të përjetshëm. Ekipi i Sulejman Starovës triumfoi 1 – 0, falë golit të Sukajt në fillimin e pjesës së dytë, duke u ngjitur në krye të Superligës, në pritje të rezultatit të takimit Laçi – Skënderbeu, që do të luhet të hënën.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe dyluftime të forta. Të dy ekipet krijuan aksione, por pa rrezikuar seriozisht portën kundërshtare. Xhevahir Sukaj dhe Masato Fukui nuk arritën të kthejnë në gol krosimet në zonë.

Në pjesën e parë më shumë spektakël dhuruan tifozët në tribuna. Pjesa e dytë rifillon me të njëjtin ritëm. Minuta e 51’ solli edhe zhbllokimin e rezultatit me golin e Partizanit. Goditja e Xhevahir Sukajt kalon pa u prekur nga mbrojtësit bardheblu apo portieri Stivi Frashëri. Ky ishte goli i gjashtë në po aq javë për sulmuesin e të kuqve.

Avantazhi e tërhoqi në mbrojtje Partizanin, duke lënë më shumë Tiranën të organizojë aksionet e saj. Lojtarët bardheblu edhe pse iu afruar disa herë portës së Alban Hoxhës, nuk arritën të shënonin. Kjo është fitorja e pestë e Partizanit në këtë kampionat, ndërsa Tirana u mund nga një tjetër ekip, pretendet për titullin.

Më herët të shtunën, Vllaznia arriti të marrë pikën e parë pas 6 javëve kampionat. Ekipi shkodran barazoi 1 – 1 me Kukësin në takimin e zhvilluar në Pukë. Takimet e tjera do të luhen të dielën dhe të hënën.

Tv Klan