Pas kthimit nga Gjykata e Lartë në Apelin e Gjykatës së Tiranës të dosjes së demokratëve, nëse vendimi i Shkallës së Parë, i dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri që i dha vulën e Partisë Demokratike të Sali Berishës, është i drejtë apo jo, nuk ka vonuar edhe reagimi i grupimit Berisha-Bardhi.

Përmes një letre drejtuar togave të zeza, nënkryetari i Parlamentit, demokrati Agron Gjekmarkaj fton Apelin e Tiranës që të trajtojë me përparësi dhe paanësi çështjen e Partisë Demokratike, duke mos e zvarritur atë.

Kjo çështje nuk mund të zvarritet dhe nuk mund të manipulohet sepse do të ishte një atentat i mirëfilltë, një puç konstitucional në jetën politike të vendit, një prishje e rregullave demokratike të lojës, ndërhyrje në garën politike në favor të pushtetit, duke denatyruar thelbin e sistemit dhe duke minuar jetën institucionale në vend”.

Sipas Gjekmarkajt, prej kohësh po luhet një sagë e pandershme mbi fatin e Partisë Demokratike nëpër dyert e gjykatave, ndaj ai kërkon që çështja e vulës dhe e logos së Partisë Demokratike të mos merret peng.

“Ajo nuk mund të merret peng. Asnjeri prej jush nuk mund e duhet të jetë kaq guximtar sa t’i dëmtojë interesat madhore të Shqiperisë, popullit të saj dhe demokracisë duke zvarritur një çështje që ka interes madhor publik. Duke shpresuar se ju do t’i ktheni legalitetin PD dhe opozitës si nocion juridik, duke njohur atë që populli dhe qytetarët ja kanë dhënë prej kohësh, ju nderoni togën, sensin e drejtësisë dhe na motivoni për t’ju mbështetur sa më shumë, pa kompromis, në pavarësinë tuaj”.

Sipas Gjekmarkajt, fati i opozitës lidhet drejtpërdrejt me fatin e Shqipërisë, me jetën demokratike në vend, me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit, si dhe me parimet universale të një demokracie liberale e funksionale.

Tv Klan