RistaniGënjeshtra i ka cilësuar Partia Demokratike deklaratat e Ministrit Tahiri, bërë një ditë më parë në emisionin “Opinion”, lidhur me përmirësimin e rendit dhe sigurisë në vend.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani e akuzoi Tahirin edhe për fshehje të se vërtetës lidhur me aksionin e fakrikës së kokainës në Xibrakë të Elbasanit si dhe për lidhjet qe ai ka me Emiljano Shullazin.

Arben Ristani – Sekretar i Përgjithshëm i PD: “Gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, kur siguri kanë vetëm kriminelët, dhe kur grabitjet, vjedhjet, rrëmbimet, po bëjnë kërdinë. Gënjeu kur tha se nuk ka lidhje me Emiliano Shullazin. Fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së Kokainës dhe lidhjet e tyre me qeveritarët, duke mashtruar për aksionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë. Gënjeu publikisht kur tha se; ai, paska anëtarësuar Shqipërinë me të drejta të plota në Europol. “

Nisur nga këto akuza, opozita i kërkoi Ministrit të japë dorëheqjen.

Arben Ristani – Sekretar i Përgjithshëm i PD: “Nëse i ka mbetur pak dinjitet, le ta nisë, duke mbajtur përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit.Të mbash përgjegjësi, do të thotë të japësh dorëheqjen. Partia Demokratike i kërkon ministrit ta mbajë dhe ta ushtrojë këtë përgjegjësi. Kjo është e mjaftueshme besojmë, për Edi Ramën, që ta largojë Ministrin nga detyra, kur ai gënjen publikisht dhe nuk mban përgjegjësi për ato që thotë.”

Për opozitën, shpërthimet me tritol dhe grabitjet e armatosura të kohëve të fundit janë provë e përkeqësimit të rendit dhe sigurisë në vend.

Tv Klan