“Kam treguar se jam mbi palët”

Stevo Pendarovski do të kandidojë sërish për një mandat të dytë pesëvjeçar si president i Maqedonisë së Veriut.

Synimin e shpalli gjatë një konference për mediat, duke deklaruar se gëzon mbështetjen e intelektualëve, qytetarëve, por pret që ajo t’i jepet publikisht më 3 Mars dhe nga LSDM-ja dhe 10 partive të tjera.

Pendarovski, veç faktit që pretendon se ka treguar se ka qenë i pavarur duke qenë jashtë kontrollit politik, jep edhe disa arsye të tjera për këtë kandidim.

“Kryesorja është se kam një mandat pas vetes pa asnjë aferë korruptive dhe asnjë rast nepotizmi apo konflikti interesi që lidhet me mua, familjen time apo të afërmit. Arsye tjetër janë politikat e mia në sferën e marrëdhënieve ndëretnike, të cilat janë, kanë qenë dhe do të jenë shtyllë e stabilitetit të brendshëm dhe kohezionit të shoqërisë maqedonase.”

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut mbahet më 24 Prill, ndërsa i dyti më 8 Maj, në të njëjtën ditë kur mbahen zgjedhjet parlamentare.

Në garë janë edhe kandidatët shqiptarë Bujar Osmani i BDI-së dhe Arben Taravari i mbështetur nga disa parti opozitare. Partia më e madhe opozitës, VRMNO-DPMNE nuk e ka shpallur kandidatin e saj.

Tv Klan