“Mos prisni që ambasadori Lu të flasë edhe për Rigertën e Rubikut për të kuptuar nga anon e drejta e debateve tona të marra. Por, po ashtu, mos shikoni ëndrra me marinsa amerikanë, që do të vijnë një ditë të na i zgjidhin hallet tona, atëherë kur të jetë bërë baltë fare”,

kështu shprehet në një postim në rrjetet sociale Astrit Patozi, pas deklaratave të Ambasadorit amerikan Donald Lu, për situatën e krimit në vend.

Sipas ish – nënkryetarit të PD,

“edhe bandat, edhe droga, edhe krimi me kravatë apo ai me kallash, edhe shteti i dorëzuar para mafias dhe korrupsionit, edhe sistemi i kalbur, që buron prej partive që po kthehen në përbindësha, janë si përgjegjësia, ashtu dhe detyrimi ynë”.

Patozi thotë se kur një i huaj shqipton emra të ndaluar për vendasit, kjo duhet parë si këmbanë që bie për ata që kanë veshë.

“Kur dëgjoni një të huaj, që shqipton emra të ndaluar për vendasit, mendojeni thjesht si një këmbanë, e cila bie vetëm për ata që kanë veshë. Dhe tek kjo kategori nuk hyjnë mashtruesit politikë, në qeveri apo në opozitë qofshin”.

Ambasadori Donald Lu bëri kritika të forta për sistemin e drejtësisë në vend këtë të hënë. Duke cituar raporte të Departamentit të Shtetit, ai tha se Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit.

“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave”,

tha diplomati amerikan, i cili përmendi edhe emra të përveçëm.

/tvklan.al