Dëshira për të patur një bukuri të përjetshme po i shtyn gjithnjë e më shumë njerëzit drejt ndërhyrjeve estetike, një ndër më të përdorurat është edhe Botoxi. Një mënyrë e sigurt për tw zbutur rrudhat apo vijat e holla në fytyrë? Apo një toksinë që rregullon tiparet tuaja të fytyrës në një shprehje të përhershme të ngrirë?

Sidoqoftë ai konsiderohet si procedura kozmetike më e zakonshme në botë me afro 3 milionë injeksione të kryera çdo vit.

Pavarësisht popullaritet të gjerë që po fiton çdo vit edhe më shumë, të paktë janë njerëzit të cilët janë të informuar plotësisht për efektet anësorë që shkakton Botoxi përpara se ta injektojnë atë në trupin e tyre.

Studimet e fundit kanë bërë të mundur në saj të anketimeve dhe të vëzhgimeve shkencore evidentimin e efekteve anësore të Botox-it aq më tepër të atyre që kanë pasoja afatgjata. Pavarësisht se konsiderohet si një ndër procedurat estetike më të sigurta dhe që nuk ka efekte serioze shkenca ka vërtetuar të kundërtën.

Shumica e efekteve anësore të raportuara janë të vogla dhe kalimtare. Ato përfshijnë dhimbje, enjtje ose mavijosje të lehtë në vendin e injektimit dhe dhimbje koke dhe simptoma të ngjashme me gripin për 24 orët e para. Nganjëherë mund të shfaqen edhe dobësi të përkohshme dhe zbehje e çehres së fytyrës.

Por pavarësisht këtyre efekteve anësore të vogla, është parë që Botoxi shkakton shumë efekte të tjera më afatgjata sidomos nëse bëhet një injektim i vazhdueshëm i tij.

Si shkaktar kryesor për efektet anësore të injektimit të Botox-it në trupin e klientëve është parë cilësia e ulët e tij. Në treg qarkullojnë shumë versione false të cilat përbëjnë një rrezik për jetën e njerëzve por edhe për vetë reputacionin origjinal të markës.

Në prill 2024, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dha një paralajmërim se 22 gra midis moshës 25 dhe 59 vjeç kishin raportuar kohët e fundit reaksione të dëmshme ndaj falsifikimit dhe keqpërdorimit të Botox-it.

Njëmbëdhjetë prej tyre u shtruan në spital dhe gjashtë u trajtuan me një antitoksinë për shkak të shqetësimeve të botulizmit, e cila është një gjendje ku toksina përhapet përtej zonës lokale dhe sulmon sistemin nervor qendror duke shkaktuar paralizë të muskujve, vështirësi në frymëmarrje dhe në rastin më të keq edhe vdekjen.

Simptomat e raportuara përfshinin shikim të paqartë dhe të dyfishtë, vështirësi në gëlltitje, të folur të paqartë, vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe dobësi. 22 rastet ndodhën pasi gratë morën injeksione Botox nga njerëz të palicencuar ose të patrajnuar në vende që nuk ishin mjedise të kujdesit shëndetësor.

Një profesor i kirurgjisë plastike në një Kolegj Universitar në Londër ka thënë për BBC: Nëse toksina botulinum prodhohet siç duhet dhe vjen nga një markë e mirë, përfundimi është i tillë që edhe nëse përhapet pak, nuk shkakton një sasi të madhe efektesh anësore. Doza është jashtëzakonisht e ulët. Kjo sasi e toksinës nuk mund t’u japë njerëzve botulizëm. Megjithatë, problemi që kemi pasur është se ka versione të dyshimta të falsifikuara në qarkullim. Ato janë prodhuar keq dhe nuk kontrollohen mirë.

Shkencëtarët dhe ekspertët kanë vërejtur se injektimi i vazhdueshëm i Botox-it sjell paralizim të muskujve deri në mosfunksionim total të tyre, gjithashtu kjo më pas sjell në ndryshime të përhershme të mimikave të fytyrës apo ndryshime të zonave të tjera ku bëhet injektimi.

Megjithatë, ka disa prova që përdorimi afatgjatë i Botox-it mund të ketë një ndikim psikologjik te pacientët. Në një studim të vitit 2023, Mitchell Brin, një neurolog në Universitetin e Kalifornisë dhe kolegët e tij skanuar e 10 grave para dhe pasi kishin marrë injeksione Botox.

Gjatë imazhit funksional të rezonancës magnetike të trurit të tyre, u vu re se mimika e grave para Botox-it dhe pas tij kishin ndryshime për sa i përket përcjelljes së emocioneve. Kjo përputhet me gjetjet e disa studimeve të tjera, të cilat kanë treguar se marrja e injeksioneve Botox mund ta bëjë më të vështirë njohjen dhe përpunimin e emocioneve të të tjerëve.

/tvklan.al