Bislimi: Duhet takim shtesë. Beogradi akuzon Prishtinën

Sërish pa ndonjë rezultat konkret ka përfunduar në Bruksel takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në nivel kryenegociatorësh. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të propozojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Ai nuk dha detaje, por tha se në takime kanë diskutuar për dy propozime.

“Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolikë, por që ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat me nxjerrjen e detajeve nga propozimet e të dyja palëve”, shtoi ai.

E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, ka akuzuar palën kosovare se nuk ka treguar “fare vullnet politik” për të arritur marrëveshje.

“Kjo është ajo që më brengos shumë. Nuk e di në cilin drejtim po shkon dialogu. Më brengos e ardhmja e popullit serb në Kosovë, kur e sheh se pala tjetër s’ka vullnet politik për të arritur deri te një zgjidhje”, u shpreh Petkoviç.

Pala kosovare dhe ajo serbe u takuan të hënën në Bruksel si vazhdim i takimit të javës së kaluar ku u pajtuan dhe të premten dërguan propozimet e tyre për çështjen e dinarit për t’i diskutuar më pas në këtë takim.

Tv Klan