Hyrja në treg e një modeli të ri pistolete, përmasat e të cilës janë të njëjta me ato të një karte krediti, ka vënë në alarm agjencitë ligjzbatuese. Europol ka paralajmëruar për rrezikun që përbën kjo armë, për faktin se mund të paloset dhe të transportohet lehtë.

 Ka fare pak kohë që ka hyrë në treg, por alarmi që ka shkaktuar është i përmasave të mëdha. Bëhet fjalë për pistoletën që ka përmasat e një karte krediti, 8 cm e gjysmë e gjatë dhe 5.4 cm lartësi.

Ka qenë vetë Europol që ka paralajmëruar për rrezikun që mund të vijë nga kjo armë, e quajtur “Lifecard”.

Pistoleta, e cila mund të çmontohet dhe rrjedhimisht të fshihet fare lehtë, është prodhuar nga kompania “Trailblazer”. Ajo peshon 200 gramë dhe kushton rreth 340 euro. Tyta, karikatori dhe këmbëza janë prej çeliku, ndërsa struktura dhe doreza e saj prej alumini. Vetëm doreza mund të mbajë 4 plumba, të cilët janë të kalibrit 22, të modelit “long rifle”.

“Kur paloset, ajo merr përmasat e një karte krediti, ose të një portofoli të hollë. Për më tepër, duke qenë se në pamje të parë nuk duket si armë, mund të transportohet pa rënë në sy”, thuhet në paralajmërimin që Europol u ka bërë agjencive ligjzbatuese në mbarë Europën.

/abcnews.al