Fondi 6 miliardë Euro që Brukseli i ka akorduar Ballkanit Perëndimor si pjesë e Planit të Rritjes nga sot është realitet. 6 liderët e Ballkanit Perëndimor nga njëra ana komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi si dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brian u ulën në Kotor të Malit të Zi për të folur për mënyrën sesi do të menaxhohet ky plan i cili do të shpërndahet vetëm mbi bazën e meritës. Të 6 vendet kanë prezantuar axhendën e tyre të reformave mbi bazën e të cilave do të bëhet vlerësimi për periudhën 2024-2027 dhe do të shpërndahen paratë. Kryeministri Rama thotë se Shqipëria është gati, por kërkon dhe asistencë nga BE.

“Së pari, na duhet të punojmë mbi mundësinë e Planit të rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët që është shtylla e parë e planit. Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne i kemi përfshirë si objektiva në planin tonë të reformave e synojmë të jemi gati në 2027. Presim që Komisioni të finalizojë Udhërrëfyesin që të kemi një shteg të qartë përcaktuar përpara, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane”, tha Rama. 

Gjithmonë i pakënaqur kur vjen fjala tek mbështetja financiare, kryeministri ka disa kërkesa për Brukselin.

“Në kuadrin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve kemi 90% hua dhe vetëm 10% grante. Kështu që është bota e anasjelltë, e përmbysur në raport me Bashkimin Europian që kanë vetëm 10% hua dhe 90% grante. E kuptojmë, po dhe nuk e diskutojmë, por do të ishte fantastike sikur me ndihmën e Bankës Europiane të Investimeve ne të mund të nxisim e të bindim BE-në që të garantojë për huatë tona. Kjo do të ndryshonte çdo gjë dhe më lejoni të jem shumë i drejtpërdrejtë me ju”.

Veç asaj që kërkon nga Brukseli, Rama mendon që dhe vetë vendet e rajonit duhet të tregojnë seriozitet duke lënë mënjanë bllokimet dhe çështjet politike dhe ato dypalëshe.

“Është e pakuptimtë dhe siç e kam thënë qysh prej ditës së parë, duhet ta lëmë politikën dhe çështjet dypalëshe dhe çfarëdolloj që ekziston mes nesh jashtë kësaj hapësire sepse sido që të jetë, në qoftë se bëjmë gjithçka në mënyrën dhe stilin europian brenda kësaj hapësire, kjo do të lehtësojë dhe paqësojë edhe atmosferën për të gjithë në mënyrë që të merren me çështjet dypalëshe”.

Mbështjetje për planin dha edhe Bashkimi europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Oliver Varhelyi: Mendoj se kjo kornizë ndihme për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi pragmatike. Rajoni ka humbur shumë mundësi, nuk ka kohë më të mirë se tani për të filluar punën seriozisht në rrugën drejt standardit evropian”.

James C. O’Brien: SHBA mbështet planin zhvillimor që ka të bëjë me 18 milionë njerëz për një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe vendet e tyre. Këtë vit, vendet që i përmbushin këto reforma do t’i bashkohen tregut unik evropian me çmime më të ulëta, ndoshta në 7 %.”

Të 6 liderët e ulur në tryezën e Kotorit, tre prej të cilëve shqiptarët Edi Rama, Albin Kurti dhe Talat Xhaferi mirëpresin Planin e Rritjes si një mundësi për t’u integruar më shpejt në tregun e përbashkët, por dhe vetë procesin e integrimit.

Tv Klan