Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Poliçani nga qyteti i prodhimit të vdekjes, kërkon të kthehet në qytet paqe. Banorët e varfër të kësaj qyteze, janë të gatshëm të mirëpresin dhe rehabilitojnë viktimat e gjakmarrjes. Qyteti ka godina të shumta tashmë të braktisura, por që me pak fonde për rikonstruksionin e tyre, mund të presin qindra banorë përkohësisht, por edhe përgjithmonë.

Një nismë e tillë ka gjetur dhe mbështetjen dhe përkrahjen e kryetarit të bashkisë së këtij qyteti Adriatik Zotkaj.

Adriatik Zotkaj: “Në muajin Maj, shpresojmë të fillojë punimet e para për rikonstruksionin e spitalit, që do të kthehet në konvikt për shkollimin e të gjithëve fëmijëve të ngujuar. Ne për këtë kemi folur dhe me të gjitha ministritë, kemi folur dhe me OJQ-të, nga të gjithë kemi gjetur ngrohtësinë, përkrahjen për mbështetjen e këtij projekti kaq të madh. Kuptohet do të jetë një numër i konsiderueshëm të punësuar dhe nga qyteti i Poliçanit”.

Në fakt intelektualët e këtij qyteti nuk kanë mbetur vetëm në kuadrin e ideve. Një grup prej tyre kanë krijuar shoqatën për rehabilitimin, edukimin dhe shkollimin e të ngujuarve, për shkak të gjakmarrjes.

“Heqja e këtyre fëmijëve nga ambientet ku jetojnë dhe grumbullimi i tyre pikërisht këtu në Poliçan, krijimi i kushteve të përshtatshme për të jetuar, për t’u shkolluar, për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme sportive, në aktivitete të ndryshme të cilat do të bëjë të mundur integrimin e tyre në shoqëri, mendojmë se është zgjidhja e përshtatshme për rehabilitimin përfundimtar të tyre”./tvklan.al