Përdor spray-n djegës dhe i vë prangat

Kjo video dëshmon një tjetër rast keqtrajtimi të pjesëtarëve të komunitetit afro-amerikan nga policia e Shteteve të Bashkuara.

Pre e dhunës ra një vajzë 9-vjeçare me probleme mendore, ndaj të cilës policia përdori spraj djegës dhe prangat në shkelje të rregullores për të miturit, teksa ajo nuk i bindej urdhrit për të qëndruar në automjetin e tyre.

Ngjarja ka ndodhur më 29 Janar në qytetin Roçester në shtetin e Nju Jorkut. Policia ishte njoftuar se vajza kërkonte të vriste nënën dhe veten. Ajo shfaqet në video duke qarë e duke kërkuar babain për t’u rikthyer në shtëpi. Identiteti i të miturës ende nuk është bërë i ditur.

Autoritetet pezulluan nga detyra dy efektivët që ushtruan dhunë ndaj të miturës, ndërsa në qytet ka pasur edhe protesta të këtij komuniteti.

Policia e Roçesterit është përfshirë edhe herë të tjera në të tilla akte dhune. Irritimi kundër racizmit është ende i freskët në Shtetet e Bashkuara pas protestave të dhunshme të vitit të kaluar pas vrasjes së afro-amerikanit Xhorxh Flloid në Maj 2020.

Tv Klan