Pas deklaratës zyrtare të Oborrit Mbretëror për rrjedhjen në media  të videos së sherrit mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë, ka reaguar Policia e Tiranës që njofton se pamjet filmike janë sekuestruar dhe më pas ju referuan Prokurorisë së Tiranës.

Policia e Tiranës deklaron se video e sherrit nuk doli prej tyre.

Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se: Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë”, thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës.

Më herët, Oborri Mbretëror Shqiptar pretendoi se Princ Leka që filmoi me video sherrin e tij me ish-gruan Elia Zaharia, e dorëzoi videon në polici ku bëri denoncim për dhunë, por nuk e shpërndau. Oborri Mbretëror aludoi se video ka dalë në media nga ana e policisë.

Princ Leka Zogu dhe ish-gruaja e tij Elia Zaharia denoncuan njëri-tjetrin në polici për dhunë. Çifti është në proces divorci.

/tvklan.al