Policia e Tiranës ka dhënë informacion lidhur me gabitjen e ndodhur ditën e sotme në vendin e quajtur mbikalimi Rinasit, ku persona të armatosur morën 8 thasë me para, të një banke të nivelit të dytë.

Më poshtë gjeni kronologjinë e plotë të ngjarjes:

Në orën 13 :10 njofton patrulla e policisë se mjetet e blinduara të Shoqërisë Private sigurisë fizike kanë kaluar në drejtim të Rinasit.

Në orën 13:24 ka ardhur telefonatë të numri i emergjencave 112, se në afërsi të Universitetit “Epoka”, ka të shtëna me armë.

Me marrjen e njoftimit, patrulla e policisë është nisur në drejtim të vendit, ku është marrë telefonata.

Sqarojmë se në mes të rrugës është konstatuar trafik nga patrulla dhe janë detyruar të lenë makinën dhe të shkojnë me këmbë në drejtim të Universitetit Epoka.

Në orën 13:29 shkon shefi i Komisariatit Vorë në vendin e njoftuar lidhur me ngjarjen.

Në orën 13:34 ka ardhur një tjetër telefonatë, nga punonjësi i firmës private, i cili ka kërkuar ndihmë policore.

Në orën 13:35 patrulla e policisë mbërrin në vendngjarje dhe ka marrë kontakt me drejtuesin e mjetit të shoqërisë fizike.

Ata i kanë shpjeguar oficerit të patrullës së përgjithshme lidhur me ngjarjen.

Sqarojmë se, nga Salla Operative e shoqërisë përkatëse nuk është dhënë asnjë njoftim mbi ngjarjen e ndodhur në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

Në vendngjarje janë konstatuar dy automjete të përshtatura si të blinduara të një shoqërie private, që po transportonin në drejtim të Rinasit vlera monetare.

Në këtë aks rrugor këtyre mjeteve u është ndërprerë rruga nga një automjet tip fuoristradë duke e goditur furgonin e blinduar të shoqërisë private dhe prej tij kanë dalë dy persona të paidentifikuar, të cilët dyshohen të kenë qëlluar me armë gomën e përparme të makinës së parë dhe me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar duke zbritur me forcë punonjësit e policisë private dhe duke i shtrirë në tokë.

Në të njëjtën kohë një tjetër automjet i dyshuar i autorëve kanë sulmuar makinën e shoqëruese të dytë të shoqërisë private duke neutralizuar punonjësit e shoqërisë private, të cilët ndodheshin në të.

Pasi kanë marrë sasinë e parave, ata janë larguar me të dy automjetet e tyre.

Sqarojmë se automjetet e shoqërisë fizike të përshtatur si mjet i blinduar janë dëmtuar nga autorët në pjesën e pasme duke përdorur mjet prerës, të dyshuar motosharrë dhe marrë më pas shumën e parave.

Gjithashtu është konstatuar se kamerat e mjeteve të përshtatura si blind kanë qenë të fikura dhe GPS nuk ka qenë i vendosur në thasët e parave, por në një thes i cili u gjet i vendosur poshtë sediljes së shoferit.

Në vendngjarje janë fiksuar gëzhoja.

Nga shërbimet policore janë konstatuar/gjetur dy mjete që po digjeshin pranë disa banesave, në vendin e quajtur “Rruga e Hajdutëve” në Fushë – Prezë.

Nga verifikimi i kryer dyshohet se këto mjete të jenë të autorëve, të përdorura në vendngjarje.

Shumat monetare që po transportoheshin në drejtim të Rinasit ishin të një banke të nivelit të dytë, shumë e cila është ende e papërcaktuar.

Si rrjedhojë janë arrestuar shtetasit:

Xhelil Metaj , 43 – vjeç punonjës SHPSF, 

Gentian Dedja , 31 vjeç punonjës SHPSF, 

Përparim Logu, 39 – vjeç, punonjës SHPSF, 

Endrit Daçi, 31 – vjeç, shofer i shoqërisë, 

Dashamir Balla, 42 – vjeç shofer u shoqërisë.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes./tvklan.al