Policia e Shtetit ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet për një dekonspirim të operacionit “Revanshi” që çoi në nxjerrjen e 50 urdhër-arreste nga SPAK të emrave të njohur të botës së krimit.

Në një reagim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thuhet se në këtë operacion u angazhuan 50 oficerë të policisë gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80% e forcave RENEA dhe rreth 300 efektivë të policive të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës.

Policia thotë se 8 persona u prangosën në Shqipëri, 6 jashtë vendit dhe 6 ishin të arrestuar më herët. Për 13 të tjerë u konstatua se ishin larguar nga vendi para nisjes së operacionit ndërsa 6 ishin në kërkim për vepra të tjera penale. Policia thotë se vetëm 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie arritën t’i shpëtojnë operacionit.

Hetimet e SPAK, me bazë komunikimet e Sky, treguan se si nga qelitë, personazhe të botës së krimit kishin bashkëpunuar në ngjarje kriminale përgjatë vitit 2020. Në dosjen e SPAK shihet edhe se si grupe kriminale në disa qytete kanë planifikuar ekzekutime të rivalëve të tyre duke premtuar shuma të konsiderueshme parash.

Ishin 12 ngjarje kriminale që ndodhën apo që u përgatitën, por dështuan gjatë 2020 që u zbardhën gjatë këtij hetimi. Komunikimet e Sky të ndërthurura nga hetuesit me detajet e dosjeve të arkivuara pa autorë, treguan se si për arsye hakmarrje dhe përplasje mes grupeve kriminale, kishin çuar personazhe të botës së krimit në organizimin e atentateve dhe vrasjeve në vend.

Tv Klan