Raporti vjetor i aleancës: Mbi 4700 trupa në Kosovë

Tensionet e ndodhura përgjatë vitit 2023 e kanë bërë të dosmosdoshme praninë e NATO-s në Kosovë për ruajtjen e stabilitetin të rajonit te Ballkanit Përendimor.

Kështu thuhet në raportin vjetor të Aleancës të bërë publik nga Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

“Në vitin 2023, KFOR-i luajti rol kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një decenieje. Kjo ia ka mundësuar KFOR-it ta trefishojë numrin e patrullimeve dhe ta katërfishojë praninë në veri të Kosovës”.

Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të Majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave veriore te Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët kundërshtuan krerët shqiptarë të komunave dhe gjatë protestës pati dhjetëra të plagosur mes ushtarëve të KFOR-it.

Më pas ato kulmuan në 24 Shtator të vitit të shkuar me sulmin e armatosur terrorist në Banjskë i serbëve drejt policisë, ku mbetën të vrarë një efektiv dhe tre agresorët.

Kjo bërë që NATO të rrisë në 4700 numrin e ushtarëve të KFOR-it, përfshirë edhe forcat rezervë.

Në raport theksohet se NATO mbetet e angazhuar fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, një rajon, stabiliteti i të cilit është me rëndësi strategjike për aleancën.

Gjithashtu NATO mbetet e përkushtuar për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Tv Klan