Lulet e para të pranverës u mbuluan nga dëbora këtë fillim jave në zonat e thella malore. Për hapjen e rrugëve në aksin Kukës-Shishtavec, Qafë Thore-Theth dhe Tamarë-Vermosh u desh ndërhyrja e borëpastrueseve.

Për zonat e tjera të vendit, java ka nisur me vranësira dhe reshje të përkohshme. Sipas sinoptikanit Haki Osmani, moti do të jetë i paqëndrueshëm deri të enjten.

“Pjesa e dytë e ditës së martë sjell zhvillim të vranësirave, reshje në ultësirën perëndimore. Në zonat malore rishfaqje të flokëve të dëborës. Të mërkurën mbrëmja sjell vranësira, në formën e rebesheve, më të fokusuara në zonat veri dhe vp, dhe më pak në zonat jugore. Mbeten prezente reshjet e shiut dhe dëborës mengjesin e ditës së enjte.”

Luhatje kanë pësuar edhe temperaturat. Pasi ranë këtë fillim javë, të mërkurën pritet të shkojnë deri në 24 gradë.

“Dita e martë sjell luhatje, maksimumi rreth 19. Të mërkurën, maksimumi edhe në 24. Por të enjten sjell një rënie me 3,4 gradë.”

Të martën dhe të mërkurën, problematike do të jetë era.

“Do të jetë me shpejtësi edhe mbi 75 km në det të hapur duke bërë që të kemi problematika në trafikun detar.”

Fundjava në vend do të sjellë më shumë orë me diell, duke bërë që muaji Prill të vijë me mot të qëndrueshëm.

Tv Klan