Klopp vlerëson Guardiolën: Është trajneri më i mirë, veç respekt për rivalët

Fundjava premton të jetë vërtetë spektakolare në futbollin Europian. Të gjithë sytë do të jenë të përqendruar tek dueli që mund të vendos titullin në Premier League, mes Liverpool dhe Manchester City.

Sfida e fundit mes dy emrave të rëndësishëm të këtyre dy skuadrave, si Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola, pasi gjermani ka vendosur të largohet nga “The Reds” në fund të sezonit. Një përballje ku do mbizotërojë respekti njerëzor mes tyre, pasi 56-vjeçari nuk ka kursyer elozhet në daljen para mediave.

“Të dy jemi mjaft konkurues, duam të fitojmë ndeshje dhe jemi të bekuar që kemi lojtarët më të mirë në ekipet tona. Por nuk ka një rivalitet mes nesh. Kam një bilanc pozitiv ndaj Pep, gjithsesi nuk e kam idenë se si ka ndodhur. E di që jam i mirë në atë që bëj, por kur ju më pyesni edhe ai është më i miri”.

11 javë nga fundi, Liverpool kryeson kampionatin anglez me një pikë epërsi ndaj Cityt ndjekës. Në karrierën e tij, Klopp ka përfunduar kampionatin dy herë si nënkampion në Premier League pas Cityt të Guardiolës.

Klan News