nishani ne samitin e klimesNdyshimet klimatike janë një kërcënim global ndaj të gjithë duhet të angazhohemi për minimizimin e tyre si një vend i vetëm”. Me këto fjalë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani iu drejtua të pranishmëve në Sesionin Plenar të Samitit të Klimës 2014, organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon.

Sipas Presidentit shqiptar kjo çështje thelbësore kërkon nje veprim të shpejtë.

Bujar Nishani – President i Republikës:

“Ndryshimi i klimës shërben si një koefiçent rreziku dhe kontribuon për përshkallëzimin e konflikteve mbi burimet natyrore, pengon zhvillimin ekonomik dhe rrit presionet mbi qeverisjen ndërkombëtare. Kostoja e mos-adresimit të ndryshimeve klimatike përbën një kërcënim serioz për stabilitetin e shteteve të prekura, si dhe është duke minuar progresin drejt arritjes së OZHM-ve (MDG). Meqënëse ndryshimi i klimës përbën një kërcënim global, ne ndajmë besimin e palëkundur në nevojën për të luftuar ndryshimin e klimës së bashku, në vend të perspektivës së një vendi të vetëm”.

Presidenti tha se Shqipëria ka punuar vazhdimisht për t’i përmbushur detyrimet e saj duke zbatuar një politikë të përgjithshme për mbrojtjen e mjedisit.

Bujar Nishani – President i Republikës:

Si një vend i vogël në zhvillim, Shqipëria kontribuon pak në ndryshimin e klimës globale, por është duke vuajtur shumë nga pasojat e tij negative. Në Shqipëri, ne jemi përballur me ndryshime dhe luhatje klimatike. Përmbytjet e fundit dhe thatësirat tregojnë ndjeshmërinë e sistemeve sociale, ekonomike dhe mjedisore ndaj ndryshimeve klimatike dhe nxjerrin në pah nevojën urgjente për të integruar masa përshtatëse dhe zbutëse në politikat tona të zhvillimit kombëtar”.

Kreu i shtetit evidentoi punën për hartimin e një strategjie të re Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Bujar Nishani – President i Republikës:

“Kjo strategji do të marrë në konsideratë ndikimin e ndryshimeve klimatike në intensitetin dhe madhësinë e fatkeqësive natyrore në Shqipëri si dhe përcakton planin i veprimit që duhet zbatuar për të zbutur këto efekte. Shqipëria po promovon në mënyrë agresive përdorimin e energjisë së rinovueshme në të gjithë vendin. Duke përfituar nga potencialet e vendit, veç hidrocentraleve, aktualisht ne jemi duke zhvilluar tregun për sistemet e ngrohjes diellore të ujit, energjisë së erës, biomasës dhe bio-karbureve. Ne jemi krenar për përdorimin energjisë elektrike të gjeneruar vetë për rreth 100% të kohës”.

Kreu i shtetit shqiptar kërkoi nga të pranishmit të angazhohen në një marrëveshje të re në OKB për mbrojen e mjedisit.

Bujar Nishani – President i Republikës:

“Më lejoni të ritheksoj angazhimin e Shqipërisë për t’u bashkuar me veprime globale që adresojnë çështjet e ndryshimeve klimatike, dhe për të ofruar kontributin e saj modest ndaj zvogëlimit të emetimeve të karbonit. Ne besojmë se vendet anëtare të OKB-së do ta përdorin këtë Samitin për të shprehur angazhimet e tyre dhe për të marrë masat e nevojshme, duke përfshirë një marrëveshje domethënëse ligjore në vitin 2015, për të shpejtuar veprimet globale drejt një të ardhme të emetimit të ulët, ku të gjithë kanë mundësinë për një jetë të qëndrueshme”.

Tv Klan