Kukesi

Shpresat e Kukësit për një kualfikim të mundshëm në play – off e Ligës së Europës janë sfumuar pas pezullimit të ndeshjes së parë kundër Legias së Varshavës.

Shkak për ndërprerjen u bë goditja e mesfushorit, Duda, të skuadrës polake, me sende të forta, në minutën e 61 kur Kukësi po humbte me rezultatin 1 – 2.

Gjyqtari i vendosi ta pezullojë ndeshjen pavarësisht kërkesës së Kukësit për ta vazhduar atë pa tifozë.

Tani klubi kuksian duhet të mendojë për një tjetër sfidë, akoma më të vështirë dhe që do të luhet në zyrat e UEFA-s.

Komisioni i Disiplinës pritet të japë një vendim përfundimtar për fatin e nënkampionëve shqiptarë në Ligën e Europës dhe humbja 3-0 në tavolinë është opsioni më i mirë i mundshëm.

Përveç kësaj, kuksianët mund të ndëshkohen me gjobë dhe luajtjen e disa ndeshjeve pa tifozë.

Por klubi duhet të përgatitet edhe për të tjerë skenarë aspak shpresdhënës.

Përjashtimi për këtë edicion, por edhe për ato të ardhshëm në Kupat e Europës nuk mund të lihen pa u marrë në konsideratë.

Po ashtu, precedentët e viteteve të shkuara, ku për shkak të sjelljes së tifozëve të tij Kukësi ka paguar rreth 100 mijë euro penalizime, ndikojnë negativisht në vendimin e Komisionit të Disiplinës, ndërsa dhe gjoba e ardhshme që është e sigurt do të jetë më e majme.

E sigurt është gjithashtu se vendimi i disiplinorit të UEFA – s do të ndikojë edhe në të ardhmen e skuadrës kuksiane.

Presidenti Safet Gjici ka bërë të ditur se do të presë atë që do vendosë UEFA dhe më pas do të shohë pozicionin e tij në klubin verior.

Deri atëherë, drejtuesit e skuadrës do të mbrohen në Komisionin e Disiplinës me argumentat se nuk dihet nëse tifozi që hodhi sendin e fortë nga tribuna ishte i Kukësit.

Presidenti i Kukësit e ka konsideruar tendencioz vendimin e arbitrit dhe zyrtarëve të tjerë për pezullimin e ndeshjes, duke thënë se një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme.

Përtej pretendimeve, deçiziv në vendimin e Komisionit të Disiplinës në UEFA do të jetë raporti i arbitrit dhe zyrtarëve të tjerë të ndeshjes.

Zhvillimeve u shtohet edhe një deklaratë e Policisë së Tiranës, sipas të cilës, ata që nisën trazirat ne stadium ishin tifozët e Kukësit, të cilët u revoltuan me rezultatin dhe tentuan t’i afroheshin tribunës së tifozëve kundërshtarë.

Tv Klan