Shërbimet zjarrfikëse në të gjithë vendin duket se do të kenë edhe këtë vit vështirësi në përballimin e situatave të emergjencës që mund të krijohen si pasojë e temperaturave të larta.

Pjesa më e madhe e tyre ka të njëjtat probleme si një vit më parë, mungesë në logjistikë, mjete, punonjës.

Qarku i Durrësit, me një sipërfaqe prej 766 kilometrash katrorë, ka në dispozicion tetë zjarrfikëse, por sipas drejtuesve të repartit me këtë kapacitet është e vështirë të mbulosh të gjithë rrethin.

Në qarkun e Gjirokastrës numri i zjarrfikësve është dy herë më i madh, por këtu ka vështirësi në gjërat me elementare siç është furnizimi i tyre me ujë.

Lefter Qirici: “Problemi që paraqet në Gjirokastër janë hidrantët e pakta, që janë vetëm në pjesën e poshtme të qytetit, ndërsa pjesa lart e qytetit është e pambrojtur”.

Në Shkodër ka probleme me mungesën e mjeteve ndihmëse, por edhe aty ku nuk mungojnë mjetet teknike ndërtimi kaotik dhe mosrespektimi i kritereve urbane të infrastrukturës shndërrohet në pengesë serioze.

Shpëtim Gorica: “Problem janë rrugët e ngushta, sidomos në lagje kur hyjmë. Problem, trafiku i madh, ndërsa në fikjen e zjarreve nuk kemi vështirësi.”

Megjithatë diçka është bërë për të shmangur përsëritjen e situatës së një viti më parë. Drejtori i emergjencave civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, sqaron se përveç mbështetjes që do të ofrojnë vendet fqinj në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, në rast të një situate të pazakontë ndihmë do të vijë edhe nga vendet anëtare të NATO-s.

Alfred Olli: “Kemi krijuar lidhje të forta dhe të qëndrueshme me Qendrën e Emergjencave Civile të Brukselit në NATO, e cila garanton futjen në operacion edhe të strukturave të tjera shtesë kur kërkohet nga ana jonë. Kemi nënshkruar marrëveshjen me palën italiane dhe me palën greke që në rast të situatave emergjente që mund të shfaqen në vendin tonë ato do të na ndihmojnë me mjete sidomos me mjete ajrore që ne nuk i zotërojmë. Kemi marrëveshje bashkëpunimi me palën maqedonase dhe të Malit të Zi, që të ndërhyjë në të dy anët e kufijve”.

Shefi i emergjencave civile thotë se zonat më të rrezikuara nga zjarret për këtë vit fillojnë që nga zonat e mbipopulluara të plazheve në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Sarandë duke vijuar me zonat e tjera kryesisht malore si Kukësi, Puka, Dibra, Korça dhe Gjirokastra.

Edhe pse Olli u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në rastet e situatave të vështira nga zjarret, nga ana e institucioneve kanë munguar fushatat sensibilizuese në këtë drejtim./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo