Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se parlamenti nuk ka gjetur bashkëdakordësi për ligjet që duhet të ishin diskutuar në mënyrë të përbashkët nga të 2 palët politike. Gjatë fjalës së saj në foltoren e parlamentit, Tabaku thotë se duhen diskutime konkrete me qytetarët sa i takon procesit të integrimit.

Jorida Tabaku: Vitin e kaluar kemi pasur votime të njëanshme. Bashkëdakordësi, parlamenti nuk e gjeti vitin e shkuar për ligje që duhej të ishin diskutuar në mënyrë të përbashkët nga 2 palët politike. Procesi i integrimit ndodhet në një fazë tjetër, ne duhet të kalojmë në një ndryshim cilësor që duhet të vijë patjetër nga ky parlament. Parlamenti, kyç në procesin e integrimit. Nesër kemi mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit për institucionet që lidhen me të drejtat themelore, të cilat duhet të kishin filluar diskutimin me kohë. Sot nuk kemi diskutim konkret se si do të ndryshojë jeta e qytetarëve, duhet të ndërmerren reforma që kanë në qendër qytetarët dhe ky ka qenë dështimi i parë. Në Shqipëri nuk ka shoqëri civile për të dhënë mendime dhe për të kontribuar në këtë proces. Ne nuk e kemi luksin që në këtë proces të miratojmë ligje që bien ndesh me frymën e BE-së.

Tabaku shprehet se procesi i integrimit duhet të bëhet kombëtar dhe të zhvillohen diskutime me qytetarët që këta të fundit ta kuptojnë më mirë si funksionon procesi.

Jorida Tabaku: Ndodhemi në një moment ku duhet të fillojë një ndryshim për qytetarët, këmbanë alarmi për ata që largohen. Opozita ka qenë gati për çdo ligj që shkonte në këtë drejtim dhe ky diskutim nuk ka ndodhur. Sot jemi ndoshta vonë për të diskutuar për këto mekanizima, por nuk jemi vonë për ta çuar aty ku i takon, bisedimit me qytetarët. E trishtë dhe shqetësuese që pyetja e vetme që na vjen nga studentët është si mund të largohemi nga Shqipëria. E kemi përdorur fjalën integrim për politikën e ditës dhe kemi shkuar në drejtim të kundërt. Parlamenti të miratojë një rezolutë ku përcaktojmë disa drejtime që janë të pashkelshme nga askush. Procesi i integrimit të bëhet kombëtar, të fokusohemi tek ndryshimi që nuk ka ardhur dhe nuk po vjen. Shpresoj shumë që në javën në vijim, duke filluar me punën e Këshillit të Integrimit, të bëhet diskutimi me qytetarët dhe parlamentin. Ky proces nuk ka pronarë, por vetëm përfitues.

/tvklan.al