Banka ProCredit ka inaguruar degën e saj më të re në zonën e ish-Bllokut, në një ceremoni të veçantë ku morën pjesë personalitete e përfaqësues të lartë të saj. Ky fillim i ri, u cilësua nga drejtori ekzekutiv i ProCredit Bank Shqipëri, Mirsad Haliti, një rikonceptim i banking-ut përmes qasjes së dixhitalizimit.

I pranishëm në event ishte edhe kryetari i Bordit Drejtues të ProCredit Holding Hubert Spechtenhauser, për të cilin inovacioni do të sjellë mbështetje dhe zhvillim të ekonomisë vendase.

“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu për të festuar hapjen e pikës së shërbimit në zemër të Tiranës. Kjo simbolizon për ne jo vetëm shtrirjen më të gjerë dhe më afër klientit, por edhe zgjidhjet inovative që na diferencojnë nga konkurrentët tanë. Mbështetja që ne ju ofrojmë bizneseve përkthehet në rritje ekonomike”, tha Hubert Spechtenhauser, kryetari i Bordit Drejtues të Procredit Holding.

Në fjalën e tij, ambasadori gjerman në vendin tonë Karl Bergner u shpreh se përshpejtimi i ritmeve të inovacionit në financë është tregues i përparimit drejt standardit të Bashkimit Evropian.

“Shqipëria është në hapa të mëdhenj drejt Bashkimit Evropian ndërkohë që zhvillimi i institucioneve financiare e përshpejtojnë këtë ritëm përmes financimit të ekonomisë. ProCredit ofron një shërbim jo vetëm për individët, por përfshin edhe ndërmarrjet e vogla e të mesme duke e vërë më interesante marrëdhënien me klientin”.

ProCredit Bank po aplikon një model që kombinon teknologjinë e fundit me një prani fizike të stafit në degët tona, duke siguruar që klientët të kenë më të mirën nga të dyja. Me hapjen e degës së re, ProCredit Bank ka si synim reduktimin e kontaktit fizik midis bankës dhe klientit.

Qëllimi është rritja e kënaqësisë së klientëve përmes ndërveprimeve dixhitale. ProCredit bank operon prej 25 vitesh në vendin tonë dhe është e para bankë që ka sjellë në Shqipëri risi të shumta teknologjike.

Tv Klan